Parku i Bylisit, një nga qendrat e rëndësishme arkeologjike

2 Minuta Lexim

Bylisi është i njohur për vlerat e tij në trashëgiminë kulturore. Ky park njihet si një nga qendrat e rëndësishme arkeologjike në vendin tonë. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar një material për parkun arkeologjik, ku thuhet se ka mbi 1000 m² mozaik. “PAB është një nga parqet arkeologjike me intensitet të lartë monumentesh brenda mureve fortifikuese të qytetit antik të Bylisit. Gjithashtu parku i vetëm arkeologjik në Shqipëri me mbi 1000 m² mozaik, të periudhës së antikitetit të vonë. Si dhe parku i vetëm në Shqipëri me densitetin më të lartë të bazilikave brenda territorit të tij”, thuhet në materialin për parkun arkeologjik. Nëse e krahasojmë me Apoloninë, Butrintin ose Durrësin, Bylisi nga numri i monumenteve të gërmuara zë vendin e parë.

Megjithatë, vizitorët që shkojnë në Bylis mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Bylisi ka karakter epik. Është një qytet epik i Ilirisë. Ai ndryshon me qytetet e tjera të periudhës helenistike. Studiuesit seriozë sapo e shohin, e kuptojnë se aty nuk është një kopje e qyteteve helenistike greke, por një formë tjetër nga pikëpamja e vendosjes dhe jo në atë të ndërtimit urbanistik. Ai ruhet mirë si rrënojë, sepse nuk ka qenë i banuar në periudhat e vona. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike.

Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin, ai ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek. III p.K. Për ndërtimin e teatrit është zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Baptisteri është ndër pjesët më të rëndësishme të bazilikës B dhe është i vendosur në anën jugore të saj. Akoma nuk është gërmuar një model tjetër si Bylisi, për të parë jetën në mesin e shekullit të VI-të pas Krishtit dhe kjo është veçori e tij.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull