Zbardhet vendimi i KLGJ-së për pezullimin nga detyra të gjyqtares së ”tik-tok”

14 Minuta Lexim

Është zbardhur vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pas videove të saj në rrjetet sociale.

Në vendimin e zbardhur të KLGJ-së i lihet detyra Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të vërtetojë përmbajtjen e teksteve të muzikës në video, si dhe të gjendet se kush është personi që i ka postuar ato në rrjetet sociale.

Në vendimin e KLGJ-së thuhet se asnjë prej gjyqtarëve nuk e ka të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale, por padyshim që duhet të jetë i kujdesshëm me përmbajtjen e asaj ç’ka poston, sa kohë që humbet besueshmëria e publikut te drejtësia.

Mes të tjerave në vendimin e KLGJ-së thuhet:

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka në konsideratë dhe atë çfarë Gjykata Kushtetuese ka theksuar më shumë se një herë se: “Drejtësia mund të jetë e besueshme dhe me integritet kur jepet nga gjyqtarë që nuk ngjallin dyshime sa i takon figurës së tyre”.

Mbi sa më lart u parashtrua, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se në rastin konkret ekzistojnë të dhëna që ngrenë dyshime për sjellje jo të hijshme/të qortueshme të magjistrates {…}, jashtë ushtrimit të funksionit, e shfaqur në rrjetet sociale. Përdorimi i rrjeteve sociale nuk është i ndaluar për gjyqtarin, por ai ka detyrimin të shmang çdo sjellje të pahijshme/të qortueshme dhe shfaqjen e saj, për sa kohë është subjekt i vëzhgimit të vazhdueshëm publik.

Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se magjistratja e proceduar disiplinarisht, në vijimësi, ka mohuar shfaqjen tek të tretë, publikimin në rrjetet sociale, të videove të saj personale, përmbajtja e të cilave ngre dyshime për sjellje jo të hijshme/të qortueshme të saj.

Pavarësisht kësaj, organi i ndjekjes disiplinore (ILD), përveç marrjes së deklarimeve të magjistrates, nuk ka hetuar në këtë drejtim, ndërsa ka arritur në përfundimin se mbetej i paprovuar fakti i përdorimit nga magjistratja 10 Vendimi nr. 34, datë 10.04.2017 dhe Vendimi nr. 78, datë 12.12.2017. 22 të rrjeteve sociale, në bazë të parimit se “çdo dyshim shkon në favor të magjistratit”. Duket që ka një kontradiktë mes shkeljes së atribuuar magjistrates, me përfundimin se mbetet i paprovuar fakti i përdorimit nga magjistratja i rrjeteve sociale.

Në fakt videot personale të magjistrates, mbi të cilat bazohet shkelja disiplinore ndaj saj, pranohet të jenë marrë në rrjetet sociale (rrjeti social “TikTok”, llogaria {…}supozuar e magjistrates), nga mediat vizive dhe ato online, të cilat më pas i kanë publikuar për publikun e gjerë, çka më pas ka shërbyer si indicje për ILD, për fillimin me iniciativë të hetimit disiplinor ndaj saj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se tashmë është fakt se videot personale të magjistrates janë publikuar në mediat sociale, vizive dhe ato online, ndaj publiku i gjerë është njohur dhe kushdo ka pasur mundësinë të tërheq dhe të shpreh vlerësimet e tij rreth vetëpërmbajtjes dhe hijeshisë/paqortueshmësisë së sjelljes së magjistrates të shfaqur në ato video, mbi supozimin se është vetë magjistratja që i ka publikuar ato në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor, si organi disiplinor i gjyqtarëve, i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, do të duhet të trajtojë ligjërisht rastin dhe të ndërmarr, nëse është vendi, veprimin ligjor përkatës.

Por Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se hetimi disiplinor nuk është i mjaftueshëm për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, ndërsa për të konkluduar që shkelja disiplinore e atribuuar magjistrates ka ndodhur dhe, më tej, për rëndësinë e saj, shkallën e fajësisë, motivet, etj, çmon mjaft të rëndësishëm verifikimin e faktit nëse videot personale të magjistrates, të regjistruara nëpërmjet telefonit celular të saj sikurse ajo pranon, janë publikuar ose jo prej saj dhe nëse po, rrethin e personave që u ka krijuar akses për shikimin e tyre, për të kuptuar kështu nëse magjistratja ka dëshiruar të shfaqej në atë mënyrë përpara të tretëve dhe në enventualitet përpara publikut të gjerë apo kjo ka ngjarë nga pakujdesia e saj (qoftë dhe nga mosmarrja e masave të duhura) ose keqdashja e dikujt, siç ajo pretendon.

Për verifikimin e këtij fakti është i nevojshëm marrja e mendimit të një eksperti në fushën e teknologjisë së informacionit, provë kjo e lejueshme në kuptim të Ligjit për Statusin, çka për të cilën nga ana tjetër, kërkohet edhe bashkëpunimi i magjistrates së proceduar disiplinarisht. Eksperti do të duhet të verifikojë dhe të sjell të dhëna për kohën dhe mënyrën e realizimit të videove nga magjistratja, aplikacionin e përdorur nga ajo, si dhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre, ku janë publikuar ato fillimisht dhe nga kush.

Gjatë hetimit disiplinor janë administruar 8 DVD me pamje të kamerave të sigurisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga ku nuk kanë rezultuar të dhëna të vlefshme për objektin e hetimit disiplinor, pasi memorja e tyre është vetëm 4/ditë, ndërsa videot janë publikuar në datat 14, 15 dhe 20 maj. Kjo e dhënë nuk përputhet me përcaktimet e VKM nr. 538, datë 03.07.2020, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për garantimin e rregullit dhe të sigurisë në gjykata”, ku parashikohet si një prej rregullave bazë që duhet të përmbushen është dhe “pajisja me sistemin e kamerave të vëzhgimit të lidhura me dedektorë alarmi dhe atë elektronik të lejimit të hyrjes në godinë si dhe me server të ruajtjes së këtyre të dhënave për një periudhë deri në 2 muaj” (neni 4, pika iv).

Ndërkohë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me 23 Shkresën nr. 581/1 prot. datë 02.11.2020, ka njoftuar Këshillin e Lartë Gjyqësor se në këtë gjykatë përmbushen të gjitha kushtet e kërkuara nga akti nënligjor në fjalë lidhur me kushtet e sigurisë dhe se nuk kishte nevoja të tjera ne këtë drejtim.

Nisur nga kjo, në kuadër të të dhënave për të cilat kërkohen njohuri të posaçme teknike, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se është e nevojshme edhe këqyrja nga eksperti të kamerave të sigurisë së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, jo vetëm të katit ku ndodhet ashensori dhe zyra e magjistrates, por edhe në ambientet e tjera të gjykatës, në datat e publikimit të videove të magjistrates, në funksion të ballafaqimit të të dhënave dhe arritjen e konkluzioneve të sakta.

Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm dokumentimi i tekstit të këngëve që shoqërojnë në sfond muzikor videot me imazhin personal të magjistrates, që nga ILD janë vlerësuar me natyrë jo të hijshme dhe të përshtatshme për imazhin e një magjistrati.

Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm administrimi i të dhënave profesionale të magjistrates, në drejtim të rezultateve në punë, eficencën dhe produktivitetin e saj. Të dhënat profesionale të magjistratit përcaktohen si një nga kriteret e caktimit të masës disiplinore sipas nenit 115, pika 1, shkronja “ç”, të Ligjit për Statusin, ndaj në çdo rast është i nevojshëm administrimi i këtyre të dhënave.

Mbi sa sipër, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se në rastin konkret ekzistojnë shkaqet për marrjen e masës provizore të pezullimit nga detyra të magjistrates {…} në zbatim të nenit 152, pika 2, të Ligjit për Statusin, duke vlerësuar se ky pezullim është në interes të detyrës, por edhe referuar natyrës së shkeljes që i është atribuuar asaj, duke vlerësuar se vazhdimi në detyrë i magjistrates së proceduar disiplinarisht, në kontekstin e kryerjes së hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore, do të dëmtonte rezultatin e procedimit disiplinor dhe pengonte arritjen e një konkluzioni të drejtë dhe të rregullt në lidhje me të.

Po ashtu, sikurse u parashtrua, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se në rastin konkret ekzistojnë shkaqe për t’i kërkuar ILD kryerjen e hetimeve të mëtejshme për shkeljen disiplinore të atribuuar magjistrates {…} në zbatim të nenit 152, pika 4, të Ligjit për Statusin, për elementet e munguar si më lart. Por pavarësisht specifikimit më sipër të këtyre elementeve të munguar, ILD mund hetime të mëtejshme edhe në çdo aspekt tjetër që mund të vlerësojë të nevojshme dhe të dobishme për shkeljen disiplinore.

Ndërkohë që është zbardhur dhe dëshmia e plotë që ka dhënë vetë Kapedani në KLGJ:

“…, absolutisht nuk jam krenare që këto lloj pamjesh kanë dalë në publik. Nuk ka qenë kurrë qëllimi i bërjes së tyre publike. Unë kam studiuar me mish dhe shpirt për të arritur këtu ku jam. Gjithë kohës i jam përkushtuar librave dhe studimit, dhe dita ime fillon në orën 8 dhe mbyllet në orën 4, pas kësaj deri në orën 10-11 merrem me arsyetimin e vendimeve. Shyqyr kam prindërit që mi mbajnë dhe përkujdesen për fëmijët, kështu që kam dy vjet që e kam neglizhuar rritjen dhe

përkujdesjen e tyre dhe kjo është arsyeja mbase që kur kthehem në shtëpi ku ti lej një telefon, një gjë, që të më lënë pak pushim se jam e lodhur. Në punë jam e përkushtuar, korrekte, serioze, edhe pse jam në pozicionin e zëvendëskryetares domethënë kam 50% me shumë ngarkesë në ditë, por nuk ka ditë që unë të mos bëj 5 ose 6 gjyqe, më shumë se sa gjyqtarët e tjerë. Arsyetimet i bëj në kohë rekord, përpiqem të jap drejtësi në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

Nuk kam ceduar asnjëherë nga ajo për të cilën jam betuar, të jap drejtësi dhe të respektoj të drejtat e njerëzve. Edhe në jetën private jam shumë e kontrolluar, fundjava ime është mbase një ditë me bashkëshortin dhe fëmijët dhe pjesa tjetër sërish arsyetim vendimesh. Në kaq rrotullohet e gjithë gjëja, jeta, dhe mbase kjo është një formë heqje stresi që të ndodh ndonjëherë ndaj bëj ndonjë foto apo video, por kurrë gjatë orarit të punës pasi përveç gjyqeve jam shumë e zënë me pjesën e administrimit dhe menaxhimit të gjykatës”.

Më tej, në përgjigje të pyetjes nëse nxjerrja e videove ishte një pakujdesi e fëmijëve apo mendonte se kjo gjë ishte bërë nga dikush me qëllim dëmtimin e imazhit të saj, magjistratja ka shpjeguar se: “Nuk mund ta ndaj arsyen pse ka ndodhur, thashë fëmijët kanë llogari TikToku të cilat nuk as i hapja dhe as nuk i shikoja, dhe përpos kësaj celulari im ka qenë disa herë në servis, ndaj nuk e di, jam e paqartë edhe vetë”.

Ndërsa në përgjigje të pyetjes nëse kishte pasur presion në ushtrimin e detyrës nga eksponentë, pjesëtarë në procese gjyqësore apo familjarë të tyre, magjistratja ka shpjeguar se: “Jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por presioni ndihet në varësi të llojit të çështjes apo situatës. Çdo çështje që ke dhe çdo vendim që merr është përgjegjësi dhe ndoshta krijohet pakënaqësi tek të tretët, që jo gjithmonë t’i shfaqin këto pakënaqësi apo t’i bëjnë me dije, sepse njerëzit e bëjnë këtë edhe në fshehtësi, për të shprehur pakënaqësinë e tyre”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull