Ish-drejtori i Postës së Korçës dhe një ish-punonjës i institucionit janë arrestuar nga policia gjatë operacionit të koduar “Kontrata”, pas hetimeve disa mujore të prokurorisë së rrethit. Ata janë vënë në pranga të akuzuar për falsifikimi dokumentesh dhe shpërdorim detyre.
Ish-drejtori dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës Korçë, sipas policisë, shpërdoruan detyrën duke falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq, Pogradec.
Ndërkohë, janë ekzekutuar masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë për 7 punonjës të tjerë të Postës, ndërsa në kërkim është shpallur 1 tjetër person.
Në pranga janë vënë:
- Valter Gora, 41 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec (me detyrë ish-drejtor i Postës Shqiptare Dega Korçë),
- A.B., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë ish-specialist sigurie pranë këtij institucioni).
Për ta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendim të datës 06.07.2021, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi S.M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec dhe u ekzekutua masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë për shtetasit e mëposhtëm:
- A.K., 59 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë përgjegjëse e shërbimeve pranë Postës Shqiptare Dega Korçë),
- K.M., 28 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë llogaritare e parë),
- A.K., 53 vjeçe, banuese në Korçë (me detyrë specialiste shërbimesh),
- B.P., 66 vjeç, banues në Korçë (me detyrë agjent kontrolli),
- E.G., 34 vjeçe, banuese në Pogradec (me detyrë përgjegjëse pranë Postës Shqiptare Dega Pogradec),
- B.Ç., 45 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (me detyrë punonjës shërbimesh pranë Postës Shqiptare Dega Maliq),
- E.M., 32 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë shefe e financës pranë Postës Shqiptare Dega Korçë).
Hetimet
Nga hetimet e kryera rezulton se nënëtë personat e mësipërm, duke ushtruar detyrat e tyre respektive pranë Postës Shqiptare në filialet Korçë, Pogradec dhe Maliq, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni.
Prej të cilave ish-drejtori V.G., ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte.
Sipas hetimeve, shuma totale e përfituar si paradhënie nga qiradhënësit është 23.535.000 lekë, shpenzim ky i paargumentuar mbi fondet e programuara të këtij institucioni.