Kina hidhet në sulm, presidenti kërcënon fuqitë e mëdha

2 Minuta Lexim

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, të enjten paralajmëroi se fuqitë e huaja që përpiqen ta ngacmojnë vendin e tij do ta thyejnë kokën dhe e çmoi atë që e quajti “botë të re”, të krijuar nga populli kinez. Ai i bëri këto komente gjatë shënimit të 100-vjetorit të Partisë Komuniste Kineze.

Gjatë një fjalimi që zgjati një orë në Sheshin Tiananmen, presidenti Xi u zotua se do ta forcojë ushtrinë kineze, se do ta bëjë ribashkimin me Tajvanin dhe tha se stabiliteti social do të sigurohet në Hong Kong, shkruan Reuters.

Të enjten, presidenti kinez tha se njerëzit e Kinës kurrë nuk do të lejojnë ndonjë forcë të huaj që t’i ngacmojë, t’i shtypë apo t’i nënshtrojë ata. “Kujtdo që guxon ta provojë këtë do t’i përplaset koka e gjakosur në Murin e Madh e të çeliktë, të ndërtuar nga mbi 1.4 miliard kinezë”, tha ai, duke u përcjellë me duartrokitje nga 70 mijë persona që ishin të pranishëm në shesh.

“Populli kinez nuk është i mirë vetëm në shkatërrimin e botës së vjetër, ai gjithashtu ka krijuar një botë të re. Vetëm socializmi mund ta ruajë Kinën”, tha Jinping, lideri më i fuqishëm kinez që nga koha e Mao Zedong-ut, themelues i Republikës Popullore.

Presidenti kinez dhe partia në pushtet po mburren me suksese, pasi Kina po shënon rimëkëmbje të shpejtë nga pasojat e pandemisë dhe po merr qëndrim më kategorik në skenën botërore.

Megjithatë, Pekini përballet me kritika të jashtme rreth shtypjes në Hong Kong dhe trajtimit të pakicave etnike në Xinjiang.

Xi shtoi se Kina do t’i përforcojë forcat e armatosura për t’i ruajtur sovranitetin, sigurinë dhe zhvillimin, duke e bërë ushtrinë me standarde të klasit botëror. Modernizimi i shpejtë i ushtrisë kineze së fundi ka shkaktuar shqetësime në mesin e vendeve të NATO-s dhe në Japoni.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull