Nga Erjon UKA –
Versioni në shqip i Otellos hapet me një mburrje. Sapo kalon kopertinën, në faqen e parë lexon një paragraf të shkurtër: “Po u jap shqiptarëve një kryevepër shekspiriane në gjuhë të tyre. Jam munduar pesë muaj që ta shqipëroj dhe dy muaj të tjerë që ta lëmoj e t’i jap formën e fundme. Kënduesit do ta gjykojnë në e ktheva mirë. Unë mburrem vetëm që munda ta ktheja”. Hamendësimet e shumëkujt janë të drejta: paragrafi i mësipërm është shkruar nga Fan Noli, në gusht të vitit 1915 kur përfundoi së përkthyeri këtë tragjedi.
Një mburrje e bukur, shumë larg konotacionit që kjo fjalë mund të sjellë në kuptimin e parë. Pohim i mbrujtur me hijen e dyshimit, sepse pikërisht ai dhe jo siguria absolute është shenja dalluese e mendimit qytetar dhe e intelektualizmit: përsosja e ka parakusht dyshimin, pavarësisht rrezikut të lëngimit vetjak dhe të parehatisë së vazhdueshme shpirtërore.
Për Shekspirin, siç e kujton edhe vetë Fan Noli në një artikull të shkruar në vitin 1964, kishte qenë Faik Konica i sapodiplomuar në Harvard që i kish sugjeruar të ndanin pjesët për t’i përkthyer në shqip, me kushtin e vetëm që “Romeo e Zhuljeta” ta mbante ai. Noli pranoi, por me kusht që të mbante “Hamletin”: përktheu fillimisht “Otellon” e pastaj “Jul Cezarin” dhe “Makbethin”. Ishte vetëm 33 vjeç kur shqipëroi për herë të parë Shekspirin, e megjithëse kishte përfunduar studimet në SHBA, kishte nisur krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, kishte mbajtur meshën e parë në gjuhën shqipe, kish botuar gazetën “Dielli” e kishte bashkëthemeluar shoqatën “Vatra”, e shihte të detyrueshme përulësinë.
Por më e mira ishte ende për të ardhur: kryesimi i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, deputet i Kolonisë së Amerikës, Ministër i Jashtëm, kryetar i Partisë Popullore, Kryeministër, krijimi zyrtar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por edhe veprat letrare, studimet për muzikë dhe aktiviteti intensiv në SHBA deri sa mbylli sytë në moshën 83-vjeçare.
Jemi në qershor dhe qershori në politikën shqiptare njihet për revolucionin e vitit 1924, që largoi nga pushteti Ahmet Zogun dhe solli për gjashtë muaj në krye të Shqipërisë qeverinë e Fan Nolit. Vetëm gjashtë muaj në apogjeun e politikës shqiptare. Më pas rikthim në pasionet e përhershme: letërsia, teologjia, përkthimi, muzika, studimet.
Zakonisht është qershor reflektiv. Pa ndonjë mundim të madh të vjen të bësh pyetjen: Përse ata si Fan Noli nuk e kanë jetën politike të gjatë? Pse nuk mbështesim politikanët e stilit të tij, por kërkojmë politikanin e fortë deri në despotizëm? Përse nuk vlerësojmë politikanin që dyshon, por duam atë që këmbëngul marrëzisht në të tijën?
Mund të ketë shumë arsye, që tek ato antropologjike e kulturore, deri te kontekstet historike dhe influencat gjeo-ekonomike që lëvizin marionetat në skenë. Por është e pamohueshme se politika është një zanat të kërkon të gjithin për vete. Nëse kërkon të jesh “edhe…edhe…” rrezikon të përfundosh “as…as…”. Shtetformimi është vorbulla që të përthith e që të detyron të marrësh vendime të shpejta, me efekte të gjera. Është mjedisi ku “qëllimi justifikon mjetin”. Politika të kërkon brenda shportës, ose centrifuga e zhvillimeve të nxjerr shpejtë jashtë.
Prandaj nga koha e Fan Nolit e deri në legjislaturën që sapo mbyllëm në nisje të dekadës së tretë të shekullit XXI, rrallë herë sheh akademikë e profesionistë që arrijnë të durojnë më shumë se një mandat në sallën e Parlamentit. Ata që nuk heqin dorë nga karriera e mëparshme, por ruajnë gjithmonë shtigjet e mundësive paqësore për rrugëtimin intelektual, hera-herës edhe me snobizmin e pasjes së “alternativës rezervë”, jetën politike e kanë të caktuar nga fataliteti: të shkurtër.
E kundërta ndodh me ata që hoqën përfundimisht përparëset e mjekut, fikën makinën llogaritëse të ekonomistit e thanë bojën e publicistikës për t’u angazhuar plotësisht e tërësisht në politikë: Janë ende aty, ose ikën prej saj kur deshën vetë, jo kur sistemi i nxorri jashtë loje.
Ndoshta e kishte kuptuar edhe vetë Fan Noli se dyzimi intelektual që e bënte aq të bukur mburrjen në përkthimin e Otellos, ishte paracaktuesi i fundit politik, kur i shkruante një mikut të tij se “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”. Plani i tij me 20 pika kalonte nga ulja e burokracisë, te emërimet në bazë të aftësisë dhe patriotizmit, nga çarmatimi i popullsisë, tek ndryshimet e sistemit të taksave, nga sigurimi i pavarësisë të gjyqësorit, te politikat e fqinjësisë së mirë.
Por natyrisht që programi ishte shumë akademik për një vend të sapodalë nga Perandoria e shkatërruar Osmane. As nuk luajti lojën politike që niste me sektarizimin e vetë kabinetit qeverisës, e më pas mbeti pezull deri në përpëlitje në marrjen e vendimeve që konsiderohen të vështira. Kjo eksperiencë me siguri i ndikoi aq shumë sa të shkruante një prej kumtesave më të bukura mbi Makiavelin dhe makiavelizmin, të mbajtur më 1939 në Universitetin e Bostonit.
A do të ishte Shqipëria një vend më i mirë nëse Fan Nolit do t’i jepej një mandat më i gjatë? Apo nëse miku i tij Faik Konica do të linte publicistikën, artikujt që shkruante, dhe do të vinte të udhëhiqte? Nuk mendoj. Historia ka treguar se shtetari dhe intelektuali si përjetësime të pragmatizimit dhe idealizimit janë dy shpirtëra që nuk mund të qëndrojnë gjatë brenda të njëjtit trup. Ama politika ka nevojë për të dy: për forcën e vendimit dhe për mprehtësinë e kritikës.
Në vitet ’20 në Shqipëri jetuan personazhe brilante që fatkeqësisht i njohim shumë pak, më shumë prej miteve sesa prej fakteve. Disa shkëlqyen, shumë u tërhoqën, të tjerë u harruan ndërsa pak janë të dënuar të përçajnë gjithmonë opinionin për rolin e tyre në historinë tonë. Fan Noli ishte brilanti i parë që i lëmoi thuajse të gjitha sferat e agorës publike: art e letërsi, fe, diplomaci, politikë. Dhe këtë qershor të nxehtë shumë larg revolucionit të 1924-ës, ndihem mirë që kemi një politikan karriere më pak, por një model frymëzimi më shumë. Një mburrje letrare dhe jo një despotizëm politik.