“Të shkrijmë me acid nëse s’dorëzon 25 mijë euro”, provat dhe dëshmitë që zbuluan…

7 Minuta Lexim

Ndonjëherë përballja me familjarët është me e madhe se frika për t’u përballur me policinë. Këtë e tregon fare mirë numri i kallëzimeve të rreme të të rinjve, kryesisht të gjinisë mashkull, të cilët mbasi humbasin shuma të konsiderueshme në lojrat e fatit, i drejtohen policisë duke pretenduar se i kanë grabitur.

R. R, 29 vjeç nga Tirana e alarmoi familjen e tij me versionin e çuditshëm të dhunës dhe të rrëmbimit. E inskenoi aq me detaje sa të afërmit kërkuan që ai t’i drejtohej policisë e ndaj ai kallëzoi. Por në përfundim gjithçka rezultoi false ndaj dhe emri i tij u regjistrua në dosjet e kallëzimit të rremë që pak a shumë kanë të njëjtën fabul.

I riu pretendoi madje edhe emër konkret të gjobëvënësit që sipas tij e kishte identifikuar. Kallëzimi sipas versionit zyrtar të komisariatit numër tre u dorëzua nga 29 vjeçari, i cili nga hetimi i policisë në përfundim rezultoi se kishte luajtur lloto.

“Isha duke dalë nga banesa dhe një person më priste poshtë pallatit te Myslym Shyri. Personi në fjalë u afrua dhe më kërkoi që brenda dy orëve t’i jepja atij një milionë lekë të vjetra dhe që më pas t’i paguaja 25 mijë euro.” -tha denoncuesi.

Shumën e konsiderueshme i riu e shpjegoi se iu kërkua mbasi kanonsësi pretendonte që i kishte një borxh prej 18 mijë euro dhe se me përqindje ajo shkonte 25 mijë euro.

“Ky person menaxhon një kompani online bastesh dhe ka nënshkruar deklarata noteriale borxhi pa dijeninë time” -insistoi në polici i riu.

Policia shkruan se menjëherë disponoi me kontratat noteriale që u vendosën në dispozicion nga personi për të cilin pretendohej se kishte kërcënuar. Në total bëhet fjalë për katër kontrata të firmosura përpara një notereje të njohur.

“Mësova pas tre-katër muajsh që kompania ishte fantazëm dhe menjëherë mbylla llogarinë ku më parë luaja”-shton denoncuesi duke detajuar faktet e rreme , që sipas tij mbas këtij veprimi ishte kërkuar ta rihapte llogarinë por ai nuk ka pranuar.

“Personat që menaxhonin llogarinë kërkuan të më takojmë por nuk pranova . Disa ditë më vonë personi R. D. së bashku me të tjerë më kanosën me armë të ftohtë , më futën në një lokal në rrugën e Kavajës , më morën aparatin celular dhe forcërisht më detyruan të firmosja kontratat noteriale”

Sipas tij këta persona e kërcënuan se do ta shkrinin me acid nëse nuk dorëzonte 25 mijë euro, për të cilat sipas tij ai nuk i detyrohej askujt. Më kanë hipur në një makinë me targa “AA… UI” dhe më njoftuan se do më mbanin më mbanin në fshat derisa babai të gjente paratë.”

Provat dhe dëshmitë që e zbuluan

Mes provave të mbledhura ku përfshihen kamera sigurie që nuk konfirmojnë largimin e të riut me makinë si ai pretendon, janë edhe mesazhet e shkëmbyera me shtetasin që ai e përmend se e kishte kërcënuar. Dosja që gazeta “SI” disponon, detajon dëshminë e të denoncuarit si rrëmbyes, një i ri me inicialet R.D , i cili tregon se si i dha borxh shokut të tij që justifikohej dhe kërkonte ndihmë.

“Fillimisht shuma e kërkuar ishte 5 mijë euro , që unë ja mora borxh kushëririt L.D. Më pas ai më kërkoi ndihmë dhe kërkoi edhe 5 të tjera me qëllimin për të shlyer ca borxhe që ai kishte. Përsëri ia mora kushëririt L.D. Pa kthyer ende shumën prej 10 mijë euro , më kërkoi të tjera me premtimin se do m’i kthente sapo t’i jepnin qiratë e dyqanit. Ky person më thoshte se i duheshin dhe kishte shumë nevojë për të shlyer detyrimet.”

I denoncuari këmbëngul se i riu i ishte lutur që ishte gati t’i jepte dyqanin vetëm që mos ta mësonte i ati.

“Më kërkoi si garanci të shkonim tek noteri, dhe shumën prej 10 të tjera e mora tek kushërira që mbasi dëgjoi situatën vendosi ta ndihmojë”. Në fashikull policia përmend se kjo dëshmi e “të rrëmbyerit” të rremë u rrëzua edhe nga kqyrjet e kryera nga laboratori i kriminalistikës në telefonin e tij që vërtetojnë varësinë e tij nga bixhozi dhe mbytjen në borxhe.

Edhe një tjetër burrë i martuar për të shmangur ballafaqimin me gruan sajoi një grabitje në rrugën Njazi Merkja, një ngjarje prej të cilës ai thotë se e shtrinë për tokë dhe i rrëmbyen portofolin. Sipas tij,këtë skenë rrëmbimi e pa edhe bashkëshortja e tij që ishte me të.

“Doli përpara një mjet mini cooper , drejtuesi i mjetit një person i panjohur zbriti , më shtriu përtokë dhe më mori me forcë çantën e lëkurës. Brenda kisha 5 mijë euro.”

Si veprim të parë komisariati numër katër deklaron se kreu kqyrjen fizike të tij për të konfirmuar nëse kishte apo jo shenja dhunë. Por menjëherë mbasi policia u vu në kërkim të dëshmitarëve që kishin parë skenën e dhunës, në komisariat u paraqit L.D, që kishte kallëzuar grabitjen.

“Isha i dehur dhe nuk mbaj mend se çfarë kam thënë , madje gruaja ime nuk ishte fare me mua”

Por përpara se të kryente denoncimin për grabitje, gruaja tregon se çfarë ndodhi dhe çfarë pa ajo që është shumë larg asaj që pretendon i shoqi në polici.

“Një shofer me mini cooper doli nga makina. Kur ku doli prej andej im shoq i doli përpara. Ai i tha se nuk po i bënte gjë. Por im shoq iu përgjigj se ai po i bënte video dhe pastaj fillloi ta shajë atë. Më pas kur shkuam në shtëpi, im shoq doli nga shtëpia dhe pa dijeninë time ka ardhur në polici”– rrëfen dëshmitarja që e nxorri bllof partnerin.

Ky i fundit sipas policisë kreu kallëzim të rremë për t’i shpëtuar përballjes me gruan, mbasi kishte shpenzuar në kohë të ndryshme një faturë prej 5 mijë euro në lojrat e fatit, që ligjërisht janë të ndaluara./Burimi: GazetaSi/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull