Nga Dario RIVOLTA –
Pas takimit në Gjenevë midis Xho Bajden dhe Vladimir Putin, shumë analistë e përshkruan atë si një ngjarje gati të padobishme. Ata kanë njëkohësisht të drejtë dhe gabim. Në fakt, në atë samit nuk pati ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm, të cilin nuk e priste askush.
Përkundrazi u ra dakord mbi rikthimin e ambasadorëve përkatës në kryeqytetet e të dyja vendeve,si dhe për fillimin e negociatave mbi sigurinë kibernetike dhe kontrollin e armëve bërthamore. Ishte e pamundur të merrej publikisht diçka më shumë, pasi të dy presidentët hezituan ta bënin këtë si për arsye të politikës së brendshme,po ashtu edhe të marrëdhënievetë tyre ndërkombëtare.
Bajden është i rrethuar nga një establishment (pjesë e të cilit është edhe ai vetë) që vuan ende pasojat e klimës së Luftës së Ftohtë. Për më tepër, nëse do të kishte bërë ndonjë lloj lëshimi ndaj Putinit, ai do të akuzohej për dobësi nga disa partnerë dhe për tradhti nga të tjerët.
Për shembull shihni rastin e Polonisë dhe Ukrainës. Putini ka përdorur prej kohësh propagandën e brendshme anti-amerikane si një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga Uashingtoni.
Hedhja poshtë e asaj fushate dhe një përqafim zyrtar me Bajden pa marrë asnjë lëshim, do ta kishte dobësuar shumë shefin e Kremlinit. Në rrafshin ndërkombëtar, përballë retorikës së fortë anti-kineze të konfirmuar nga administrata e re amerikane, një marrëveshje e dyanshme me “xhazha Semin”, do ta kishte dobësuar aleancën gjithnjë e më të ngushtë me Pekinin.
Gjithsesi, e rëndësishme është që ai takim ndikoi të paktën në thyerjen,pse jo edhe në shkrirjen e akullit, gjithnjë e më të trashë që po krijohej mes dy kryeqyteteve. Askush nuk mund të presë që “deti” që i ndan palët të bëhet “i lundrueshëm” në një periudhë afatshkurtër apo afatmesme.
Por gjithsesi kjo është diçka që nuk përjashtohet në zhvillimet e ardhshme, edhe nëse është ende e vështirë që t’i hipotezojmë ato. Menjëherë pas atij takimi, Franca dhe Gjermania, nisën të hedhin hipotezën se edhe Evropa mund të rifillojë kontaktet konstruktive me Moskën.
Fatkeqësisht, polakët së bashku me vendet e vogla baltike,dhe suedezët e refuzuan me forcë këtë ide, teksa mbrojtësit e të drejtave të njeriut kujtuan çështjen Navalni dhe Krimenë. Paradoksi i historisë:përgjatë shekujve ishin pikërisht suedezët dhe polako-lituanët ata që sulmuan dhe pushtuan më së shumti territorin rus!
Natyrisht, në emër të një uniteti evropian i cilinë fakt mbetet i lëkundur, takimi midis Evropës dhe Rusisë është anashkaluar, duke i lënë edhe një herë amerikanët si padronët e vetëm të nismës. Si Bajden ashtu edhe Putin nxituan që të sigurojnë aleatët e tyre.
Bajden ia përsëriti presidentit ukrainas mbështetjen amerikane për integritetin territorial të vendit, duke përfshirë edhe Krimenë. Ndërkohë Putini zhvilloi një video-bisedë “shumë miqësore” me homologun kinez Xi Jinping, gjatë së cilës që të dy rikonfirmuan dëshirën e tyre për të vazhduar së bashku drejt një rruge alternative ndaj vlerave dhe hegjemonisë amerikano-perëndimore.
Është e turpshme që Evropa nuk kishte forcën e duhur politike, për të çelur të paktën një dritare për bisedimet e ardhshme me Moskën. Sidomos pasi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kishte deklaruar publikisht se një aleancë e ngushtë midis Rusisë dhe Kinës “përbën një rrezik për të gjithë Perëndimin”.
Në fakt, shtyrja e Rusinë që të hidhet në krahët e Pekinit, është një gabim strategjik serioz, të cilin unë e kam kritikuar prej vitesh. Dhe sot duhet të pranohet se përmbysja e asaj rruge është bërë praktikisht gati e pamundur. Analistët më sipërfaqësorë, veçanërisht ata amerikanët, kanë teorizuar gjithmonë se një aleancë e vërtetë midis të dyja vendeve do të ishte e pamundur. Por ata nuk morën në konsideratë mundësinë që në mungesë të alternativave të zbatueshme, edhe e pamundura bëhet e mundur. Është e vërtetë se të paktën tani për tani, afërsia e tyre dhe deklaratat e ngrohta, nuk janë përkthyer në një aleancë ushtarake organike. Por luftërat e së ardhmes, nuk do të jenë vetëm ato të zhvilluara me armë dhe ushtarë në terren.
Synimi i përbashkët i Putin dhe Xi, i përsëritur edhe në video-konferencën e tyre, është të zvogëlojë dominimin e dollarit në ekonominë ndërkombëtare. Operacioni tashmë ka filluar, dhe nëse do të ketë sukses, për amerikanët (dhe rrjedhimisht për të gjithë Perëndimin) mund të rezultojë të jetë një goditje më e rëndë se sa një betejë e madhe e humbur.
Për të mos përmendur faktin që Irani i është shtuar tashmë aleancës midis Moskës dhe Pekinit. Dhe për shkak të akumulimit të madh të borxheve ndaj Kinës, shumë vende afrikane dhe ndoshta edhe disa në pjesë të tjera të botës, do të detyrohen të rreshtohen me ta.
Në Moskë nuk janë të verbër dhe e dinë shumë mirë se një përqafim total me Kinën, do të nënkuptonte një varësi të Rusisë ndaj saj,në një kohë që interesat e të dyja vendeve në Azinë Qendrore janë dhe do të mbeten konfliktuale.
Por nga ana tjetër, nuk duhet harruar se Rusia ka nevojë për kapital dhe një farë njohurie që e ka Pekini. Ndërkohë,miqtë biznesmenë përreth Putinit duhet që të mbijetojnë. Putini nuk është budalla, dhe ndonëse ka qenë në gjendje ta ndërtojë sigurinë e tij politike duke u rrethuar me oligarkë besnikë dhe bujarë, ai e kupton që hendeku i madh midis rusëve të pasur dhe masës së madhe të popullsisë duhet të zvogëlohet përmes një forme të rishpërndarjes së pasurisë.
Disa studime statistikore pretendojnë se vetëm 5 për qind e njerëzve më të pasur në Rusi kontrollojnë më shumë se 50 për qind të gjithë pasurisë së vendit, pra të140 milionë banorëve që jetojnë atje. Populli rus di të durojë shumë, por ka gjithmonë një kufi.
Perëndimi e ka bojkotuar Moskën, ndërsa Kina po i hap krahët. E si mund t’i rezistojë?Nëse, siç besojmë të gjithë, rivali i vërtetë për mirëqenien e ardhshme të gjithë Perëndimit është pikërisht Kina, t`i dhurosh Pekinit hapësira të pafundme dhe shumë pak banuara dhe të gjitha lëndëte para që ka sot Rusia, është një gabim serioz,për të cilin do të detyrohemi të vuajmë pasojat në një të ardhme jo aq të largët.
Është ndoshta vërtetë tepër vonë për të provuar që të riafrohemi në njëfarë mënyre me Rusinë (e cila mbetet gjithsesi pjesë e kulturës evropiane). Por sigurisht që nuk mund të shpresojmë të sigurojmë mirëqenien tonë në të ardhmen,duke kënaqur fobitë psikoanalitike të polakëve,apo duke financuar ultra–nacionalistët ukrainas. / “Linkiesta” bota.al