Kryeministri Edi Rama ka mbedhur sot drejtuesit e policisë, ku tha se është e papranueshme që efektivët të kenë sjellje joetike, dhe të bjenë në akte korruptive.
Rama foli për rastin e Sarandës ku pati përplasje me armë në lokalin Orange, pas kalimit të orës policore, ndërsa sipas kryeministrit pronarët e këtyre lokaleve janë tutorë që marrin prej hundësh shefat e komisariateve.
Kreu i qeverisë tha se rasti i Sarandës duhet të ishte ndjekur penalisht për të gjithë zinxhirin e policisë që ka qenë në detyrë.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Rastet e korrupsionit të vogël në radhët e rrugoreve janë të papranueshme, nxis SHÇBA-në që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne kemi rritur dhe në harmoni me pritshmërinë e qytetarëve, rolin vëzhgues të policit rrugor, ndaj shkelësve në rrugë. Është e papranueshme që kjo të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesin e automjeteve. Vetë strukturat e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA thonë se nuk trajtohen si duhet shqetësimet e qytetarëve.
Mungesa e etikës, veprimet abuzive nga personeli mjekësor janë sjellje të neveritshme që duhen luftuar, me zero tolerancë. Këtu dua të theksoj një fakt që në vetvete është shumë sfidues për ligjin, për shtetin, për policinë e shtetit. Kush janë këta pronarë lokalesh në bregdet që në mënyrë të hapur shkelin ligjin, tejkalojnë orën policore, krijojnë hapësirë abuzivizmi të atillë, që degjenerojnë në krisma dhe plagosje, në mes të një dynjaje të tërë që është mbledhur aty në lokal?
Ua them unë kush janë këta, ata janë tutorët e policisë së shtetit në ato territore, janë korruptuesit e policisë së shtetit, janë abuzuesit më të mëdhenj me uniformën e policisë së shtetit që tërheqin prej hunde policë dhe shefa komisariatesh, rasti i Sarandës ishte një rast alarmant, e kam ndarë këtë dhe me ministrin e brendshëm. Ai rast duhet të çonte në ndëshkim penal të të gjithë zinxhirit të komandës në Sarandë. Duhet të çonte në ndëshkim penal, kush e mban përgjegjësinë për sakatimin e njerëzve në 1 të natës.