Ish Presidenti Donald Trump ka ngritur padi kundër tre prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në vend, duke pretenduar se është censuruar padrejtësisht prej tyre. Trumpi njoftoi padinë të mërkurën kundër Facebook-ut, Twitter-it dhe YouTube-it të kompanisë Google si dhe ndaj drejtuesve ekzekutivë të kompanive. Ai foli në një konferencë për shtyp në Nju Xhërsi. Zoti Trump ishte së bashku me paditës të tjerë në çështjen ligjore, që u dorëzua në gjykatën federale të Majamit.
“Ne po kërkojmë t’i jepet fund ndalimeve të dyshimta, frenimit të shprehjes dhe listës së zezë që ju i njihni mirë”, tha ai.
Sipas nenit 230 të Aktit për Etikë në Komunikim të vitit 1996, platformat e mediave sociale lejohen të moderojnë shërbimet e tyre duke hequr postime që, për shembull, janë të turpshme ose shkelin standardet e shërbimeve të tyre, për sa kohë që kompanitë veprojnë në “mirëbesim”. Ligji gjithashtu përjashton përgjithësisht kompanitë e internetit nga përgjegjësia për materialin që postojnë përdoruesit.
Por ish-presidenti Trump dhe disa politikanë të tjerë kanë argumentuar prej kohësh që Twitter-i, Facebook-u dhe platforma të tjera të mediave sociale kanë abuzuar me këtë mbrojtje ligjore dhe duhet të humbasin imunitetin para ligjit – ose të paktën duhet ta gëzojnë atë duke përmbushur kërkesat e vendosura nga qeveria.
Zoti Trump u pezullua nga Twitter-i, Facebook-u dhe YouTube-i pasi ndjekësit e tij sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar. Kompanitë përmendën shqetësimet se ai mund të nxiste dhunë të mëtejshme.
Sidoqoftë, ai ka vazhduar të përhapë gënjeshtra në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, duke pretenduar në mënyrë të pabazë se ai fitoi, edhe pse zyrtarët e zgjedhjeve shtetërore dhe lokale, prokurori i tij i përgjithshëm dhe gjykatës të shumtë, përfshirë disa që ai emëroi, kanë thënë se nuk ka prova të mashtrimit masiv me votën që ai pretendon.
Facebook-u, Google-i dhe Twitter-i nuk pranuan të komentojnë të mërkurën.
Paditë argumentojnë se ndalimi ose pezullimi i zotit Trump dhe paditësve të tjerë është një shkelje e Amendamentit të Parë, pavarësisht faktit që kompanitë janë private. Në padinë kundër Facebook-ut dhe drejtorit ekzekutiv Mark Zuckerberg thuhet se kompania veproi në mënyrë antikushtetuese kur përjashtoi ish-presidentin Trump nga platforma. Paditë kundër Twitter-it dhe YouTube-it bëjnë pretendime të ngjashme. Të tre paditë i kërkojnë gjykatës të japë dëmëshpërblime të paspecifikuara, të deklarojë nenin 230 jokushtetues dhe të raktivizojë llogaritë e zotit Trump, së bashku me ato të paditësve të tjerë – në platformat nga ku janë ndaluar./VOA/