Një aeroplan me tetë parashutistë dhe një pilot, u përplas ditën e djeshme në aeroportin e Orebros, rreth orës 19:20.
Pasi u rrëzua 100 metra larg pistës së fluturimit, shpërtheu një zjarr që mobilizoi forcat e emergjencës për fikjen e tij. Në vendngjarje u përfshinë 10 ambulanca, por nga ekuipazhi vetëm një prej tyre ka mbijetuar dhe është dërguar në spital me plagë të rënda, ndërsa personat e tjerë kanë ndërruar jetë.
“Është një aksident i rëndë. Kanë vdekur disa njerëz”, shkroi policia suedeze në uebfaqen e saj.
Qendra e Shpëtimit Ajror dhe Detar ka konfirmuar që aeroplani shërbente për hedhje me parashutë.
Kjo tragjedi ndodhi 28 ditë pasi një tjetër aeroplan u rrëzua ndërsa po përpiqej të ulej në Lindje të Rusisë, kur humbi kontaktin me kullën e kontrollit.
Mendohet se aeroplani është përplasur fillimisht me një shkëmb gjatë uljes për shkak të pamundësisë për të parë qartë.