Baleti “Para stuhisë” u vu në skenën tonë në vitin 1982. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit shprehet se ky balet ishte një vepër e plotë skenike. “Mjeshtri Agron Aliaj, bazuar në motivet e romanit “Lumi i vdekur” të Jakovë Xoxës dhe me muzikë të Çesk Zades, vuri në skenë baletin “Para stuhisë”, premiera e të cilit u shfaq në 20 maj të vitit 1982. Për herë të parë, pas 15 vitesh konkurrim në Koncertet e Majit, Teatri i Operës dhe Baletit bëri mbylljen me një vepër të plotë skenike”, shkruan TKOB, në një material që ka publikuar për këtë vepër. Vepra u vlerësua dhe në shtypin e kohës. “Baleti të emocionon si për muzikën, ashtu edhe për konceptimin dhe interpretimin koreografik”, shkruhej në gazetën “Bashkimi” të datës 21 maj 1982.
Libreti është nga Ëngjëll Tershana, dirigjent Ermir Krantja, skenograf Gjergj Marko. Rolet dhe interpretët- Vita: Albana Sulejmani, Mukades Erebara, Domenika Ndreca; Adili: Ilir Kerni, Ludmill Çakalli, Arben Kuçi; Pilo: Hajdar Shtuni, Albert Janku, Ilir Kerni. Kozi: Pëllumb Agalliu, Sokol Noga, Edmond Dhima; Llazi: Skënder Jazexhiu, Miltiadh Papa, Kujtim Hoxha; nëna: Julika Islami, Sekine Sharofi; Sulejmani: Dedin Suli, Dionis Romano; Beu: Llaqi Nako, Riza Tjegulla, Ludmill Çakalli; Tregtari: Jerasim Popi, Meteli Hasa. TKOB shkruan se ky balet është rivënë në 2007 me titullin origjinal të veprës së Jakov Xoxës “Lumi i vdekur”.
Agron Aliaj (Delvinë, 30 tetor 1933 – Tiranë, 17 maj 2012) ka qenë një koreograf shqiptar. Krijimi i grupit të valleve në Shtëpinë e Pionierëve në vitin 1946 në Tiranë nën drejtimin e mjeshtrit Panajot Kanaçi qe një nxitje për të. Ai është ndër të parët solistë të Filarmonisë Shqiptare (1948). Studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës (1950-1956). Emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe baletit ku realizoi me nivel të lartë artistik interpretativ disa kryerole.