Pijet industriale të mbushura plot me sheqerna janë kudo dhe konsumohen nga shumica e njerëzve, duke nisur që nga fëmijët e vegjël e deri tek më të moshuarit. Ato janë bërë aq shumë pjesë e jetës së përditshme, pavarësisht efekteve të tyre negative që po zbulohen dita ditës.
Çfarë Është Kolesteroli
Kolesteroli është një substancë e ngjashme me dyllin që prodhohet nga mëlçia. Ai ndahet në dy kategori: ai i lipoproteinës me dendësi të ulët (LDL) që është i keq dhe ai i lipoproteinës me dendësi të lartë që është i mirë. Ushqimet e përpunuara dhe pijet industriale me sheqer nxisin grumbullimin jo të shëndetshëm të kolesterolit në enët e gjakut duke i hapur rrugën sëmundjeve të zemrës.
Konsumi i përditshëm i pijeve të tilla industriale rrit me 98 përqind gjasat që një njeri i shëndetshëm të ketë nivele të larta të kolesterolit të keq në gjak. Një gjë e tillë është faktor shumë i madh rreziku i aterosklerozës, atakut në zemër dhe ishemisë. Ky rreziku ulet duke ndjekur dhe zbatuar një regjim të shëndetshëm ushqimor, siç është ai Mesdhetar. Ky regjim rekomandon uljen e sasive të mishit të kuq dhe të karbohidrateve por konsumin më të rregullt të frutave, perimeve, peshkut, farave, drithërave të shëndetshme dhe yndyrnave si vaji ekstra i virgjër i ullirit. Heqja dorë nga këto pije është hapi më i duhur që mund të marrë një njeri, sepse sheqeri është fajtor për shumë probleme madhore në organizëm./AgroWeb