Pasi policia ekzekutoi nëntë urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK, duke u hedhur prangat disa prej zyrtarëve të Ministrisë së Brendëshme, të përfshirë në atë që po etiketohet si afera 28 milion USD, ose 2.8 miliardë lekë e tenderit me uniformat e Policisë së Shtetit, ish ministri Sandër Lleshaj, adresoi një prononcim me përmbajtje larje duarsh. Në kuptimin e dhenies së një përgjigjeje rutinore për mospërfshirjen e tij në këtë aferë, që në fakt ka nisur qysh në kohën e qeverisjes së PD-së.
Në prononcimin e tij për TV “ ABCnews” ,Lleshaj e përshëndeti SPAK-un për hetimet e kryera, duke i atribuar vetes meritën e stimulimit të strukturës së posaçme për të thelluar hetimet.
”…Me qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më i mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj” tha, ndër të tjera, Lleshaj.
Në vijimësi të prononcimit ish ministri i Brendshëm , mohoi të ketë pasur ndikim dhe asnjë rol favorizues në tender, gjë e pabesueshme po të kihet parasysh se ai është prononcuar edhe për “tejkalim të kuotave të karburantit nga efektivë të Policisë”.
Gjithsesi roli i Lleshajt dhe i ish sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, Plarent Ndreca, mbetet për tu zbuluar nga shpënia deri në fund e hetimeve të nisura nga SPAK.
Përkundër këtij prononcimi me përmbajtje pafajësie të ish ministrit Lleshaj, në aferën e tenderimit të uniformave të policisë, që i ka ngrënë buxhetit publik 2.8 miliardë lekë, në dokumentat e dosjes, të cilën “Arbërianews” e ka publikuar dhe ripublikuar, jepen fakte të skemave mafioze që janë përdorur nga “fituesit” e këtij tenderi që habitshëm janë të njejtët prej dekadash.
Janë procedura që luhen për përvetësimin e miliarda lekëve në rrugë të pamerituara në një tender që në vëmendje ka pikërisht këtë, pra zhvatjen me të dy duart të sa më shumë parave dhe jo uniformat e këpucët e policëve.
Po të ballafaqosh tabelat e çmimeve të artikujve të ofruara nga kompania fituese vëren se ato janë kaq të fryra sa nuk ka nevojë të jesh ekspert financash për të konstatuar abuzimin galopant.
Nga ana tjetër, vetë fakti që kemi të bëjmë me të njejtën kompani, që falë edukatës së aferimit, prej vitesh ka krijuar monopolin e të qenit fitues i tenderit, pa tenderim, të uniformave të Policisë së Shtetit të shtyn të besosh se ish ministri Lleshaj nuk është aq i papërzier në këtë aferë korruptive nga më të mëdhatë e realizuara deri më sot.
Ai thotë se nuk ka qenë i informuar, ndërkohë që burime konfidenciale i pohojnë “ArbëriaNews” se kompani rivale me atë fituese “D&E Shpk”, i kanë adresuar Lleshajt letër ankesa duke e venë në dijeni të makinacioneve dhe mafiozllëqeve që luheshin me tenderin. Që ish ministri Lleshaj ka patur informacion për gjithë sa luhej e vërteton dhe fakti se në dokumentacionin e praktikës së tenderit abuziv të depozituar në SPAK, nga deputeti Myslym Murrizi del të jetë prezent dhe ish sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendëshme, Plarent Ndreca, me të cilin kabineti i ish ministrit Lleshaj ka patur informacion të përditësuar. Për të mos përmendur se në pozitën e ish drejtuesit të Ministrisë, Sandër Lleshajn e informonte Shërbimi për Çështjet e Brendëshme dhe Ankesat (SHÇBA ), si dhe të tjera struktura financiare përgjegjëse për mirëadministrimin e fondeve publike të Ministrisë.
Që Sandër Lleshaj s’ka patur rol të drejtëpërdrejtë në tenderin 2.8 milirdësh me uniformat e Policisë, kjo është e vërtetë dhe këtu në deklarimin e tij për TV “ABC News”, ish ministri nuk pohoi ndonjë gjë të re.
Ajo që ai nuk tha lidhet me dhënien e përgjigjes për pyetjen: Po dijeni për praktikën mafioze që po luhej me tenderin 28 milionë euro të uniformave të Policisë, a kishit ju Sandër? Dhe me autoritetin e ish Ministrit, përse nuk ndërhytë për t’ia ndalur rrugën e abuzimit zyrtarëve që sot kanë përfunduar në pranga e që, jo vetëm në Ministrinë që ju keni drejtuar, s’janë veç firmosës e përfitues të thërrimeve të tortës së miliardave të grabituar nga buxheti i takspaguesve më të varfër të kontinentit.
Që dhe Sandër Lleshaj është në tavën e aferës mafioze me tenderin 2.8 miliardë lekë me uniformat e policisë, këtë nuk e luan as topi. Në rol të drejtëpërdrejtë apo pashpinor këtë mbetet ta zbulojë hetimi i thelluar i SPAK-ut që, nga sa duket, nuk ka për të zhgënjyer askënd. /ArbëriaNews.net
THEKSOJMË: Shkrimi është ekskluziv i “ArbëriaNews.net”, dhe gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “ArbëriaNews.net” si dhe vendosjen në pjesën fundore të linkut të burimit. Nëse kjo nuk konstatohet çdo shkelës i ekskluzivitetit referuar Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016, do të mbajë përgjegjësi.