Tre ish-juristë të Kadastrës Durrës dhe një tjetër person janë vënë në pranga për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të kryera në bashkëpunim.
Ata akuzohen se falsifikuan dokumentet për të përfituar certifikatën e pronësisë për dy sipërfaqe, trualli dhe ndërtimi.
Policia njoftoi se, “Drejtoria për Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë kriminale në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve 6-mujore, realizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë e Policisë të qarkut Durrës operacionin policor të koduar ‘Mbikalimi’, në kuadër të të cilit u bë arrestimi me vendim të Gjykatës Durrës i shtetaseve:
- I.F., 62 vjeç, lindur dhe banues në Fier
- G. A., 36 vjeç, lindur dhe banues në Plepa Durrës
- M.Z, 43 vjeç, ish-jurist në zyrat e Kadastrës Durrës.
- Gjithashtu u bë ekzekutimi i masës së sigurisë ‘Arresti në shtëpi’ për shtetasin R.H”.
Hetimet
Të lartpërmendurit, sqaroi policia, në bashkëpunim me njeri- tjetrin kanë aplikuar dhe regjistruar me dokumente të falsifikuara në hipotekën e Durrësit, një pasuri të paluajtshme 2000 m2 tokë truall dhe mbi të 550 m ndërtesë, në zonën bregdetare në fshatin Vrinjë, Njësia Administrative Rrashbull, rrethi Durrës.
Pasuria është regjistruar në kadastër me dokumente të falsifikuara, në emër të shtetasve E.A dhe R.H..
Sipas të njëjtave burime, për regjistrimin e kësaj pasurie në zonën bregdetare Durrës janë hartuar me fotoshop, përdorur dhe depozituar dokumente të falsifikuara të leje së legalizimit për objektin me një sipërfaqe ndërtimi 550m2 dhe sipërfaqe trualli 2000 m2.