Anketa e OKB për lehtësimin e tregtisë, Shqipëria në vend numëro

4 Minuta Lexim

Një anketë e Kombeve të Bashkuara për Lehtësimin e Tregtisë ka analizuar globalisht 143 vende ndër të cilat edhe Shqipërinë duke dhënë kështu një panorame të përgjithshme të masave që kanë marrë vendet në funksion të kësaj.

Për Shqipërinë anketa e vitit 2021 nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e vitit 2019 duke treguar se sa i takon lehtësimit të tregtisë nuk janë hedhur hapa të reja. Konkretisht Shqipëria shënonte një nivel prej 52.69 për qind për vitin 2021 si vlerësim për lehtësimin e tregtisë (kujtojmë që 100 për qind është niveli më i mirë).

Të marrë më vete elementët përbërës të pikëzimit final rezulton se transparenca ka një vlerësim prej 80 për qind. Formalitetet në 45.83%, marrëveshjet dhe bashkëpunimet institucionalë kanë një vlerësim 66.67 për qind kurse tregtia pa dokumente (pa letra ku shumica sigurohen online) është 59.26 për qind. Tregtia pa letra ndërkufitare ka një nivel 22.22 për qind. Anketa e vitit 2021 është identike në rezultate sikurse ajo e vitit 2019 në çdo komponent.

Thuajse në të gjithë treguesit Shqipëria qëndron poshtë mesatares së vendeve që janë pjesë e Komisionit Euopian si dhe Europës Juglindore ku bën pjesë vetë.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se në botë janë kryesisht vendet e zhvilluara ato që kanë hedhur hapat më të mëdhenj dhe pozitive drejt lehtësimit të tregtisë.

“Anketa, që mbulon 143 vende, tregon nivelin mesatar global të zbatimit të masave për lehtësimin e tregtisë dhe progresin e asaj pa letra në 65 për qind. Për 128 vende, kjo është një rritje me 5 pikë përqindjeje nga një mesatare prej 61 për qind në 66 për qind në Sondazhin e fundit në 2019. Në 2021, ekonomitë e zhvilluara kanë normën më të lartë të zbatimit (82 përqind), ndjekur nga vendet në Azia Jug-Lindore dhe Lindore (75 për qind). Ishujt Paqësor kanë normën më të ulët të zbatimit (44 pë rqind)” thuhet në njoftimin e Kombeve të Bashkuara dhe specifikisht departamentit për Europën që ka kjo organizatë.

I njëjti njoftim sqaron se në rajonin e UNECE, zbatimi mesatar i lehtësimit të tregtisë u rrit nga 73 për qind në 2019 në 76 për qind në 2021.

“Progresi më i lartë është regjistruar në Azinë Qendrore (16 për qind rritje), ndjekur nga Amerika e Veriut (6 për qind), Kaukazi dhe Turqia (5 për qind). Përkundër progresit të dukshëm të bërë që nga viti 2019, Azia Qendrore është ende prapa, ashtu si Evropa Lindore dhe Evropa Jug-Lindore me rreth 64 për qind ndërsa katër nën-rajonet e tjera (Kaukazi dhe Turqia; BE, MB, Norvegjia dhe Zvicra; Veriu Amerika; Federata Ruse) arriti afër 80 për qind shkallë zbatimi. Rezultatet e sondazhit për nivelet e zbatimit të masave të lehtësimit të tregtisë në kohë krizash dhe pandemie ndryshojnë shumë në të gjithë rajonin me një mesatare prej 46 për qind. Anketa e UNECE 2021 përfshin 44 vende me shtimin e dy vendeve të reja – Andorra dhe Luksemburgu” thuhet në sqarimin për anketën bërë nga UNECE./Monitor/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull