Analisti i njohur Aleksandër Çipa ka komentuar Kuvendin e fundit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Çipa thekson se selia blu ka pësuar një krisje në kupolën e saj drejtuese. Sipas tij, përplasja vjen midis njerëzve të liderit historik, Sali Berisha dhe njerëzve të kryedemokratit Lulzim Basha.
Duke folur në një intervistë për A2CNN, Çipa shtron domosdoshmërinë e një reformimi të kësaj force politike e cila sipas tij nuk po arrin ta përdorë si duhet as diversitetin dhe lëvizjet brenda saj.
A ia ka dalë PD-ja të përdorë si duhet diversitetin?
“Nuk mendoj se ia ka dalë dhe ky është një proces dhe një nga betejat më të vështira me të cilat do të përballet edhe gjatë muajit shtator por edhe pas muajit shtator, Partia Demokratike. Rasti i polemikës publike midis z. Mark Marku dhe drejtimit të Partisë Demokratike, lidhet me raportin midis lidershipit të vjetër, tradicional, të Partisë Demokratike dhe nevojës për një reformim të ri të lidershipit të ri të kësaj partie. Kjo është një betejë e vështirë. Duket se ka qartazi një ndasi në nivelet e larta të lidershipit, por ka edhe një ndasi në atë që unë e quaj në raportet e brendshme botëkuptimore midis një grupi të lidershipit politik dhe lidershipit të vjetër, tradicional të Partisë Demokratike”, theksoi Çipa.