Kredia për shtëpi prek rekord të ri, bankat dhanë 31 milionë euro vetëm në maj

4 Minuta Lexim

Shuma mujore e kredisë për shtëpi dhënë nga sektori bankar shënoi një vlerë rekord gjatë majit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat tregtare disbursuan 3.8 miliardë lekë ose gati 31 milionë euro kredi për shtëpi në një muaj.

Kjo e çon vlerën totale të kredisë për shtëpi të dhënë gjatë këtij viti në 14.3 miliardë lekë, në rritje me 76% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për vitin 2021, kredidhënia për shtëpi po prek shifra më të larta se kurrë më parë.

Sektori bankar po mbështet ciklin e ri të rritjes të tregut të pasurive të paluajtshme, që nuk u frenua as nga pandemia, madje mori një vrull të mëtejshëm duke nisur nga mesi i vitit të kaluar. Deri në fundin e vitit 2020, agjentët e shitjeve vlerësonin se rreth 60% e transaksioneve në tregun e pronave financoheshin me kredi.

Familjet shqiptare po i shohin pronat si një investim të mirë për të ardhmen. Rritja e fortë e çmimeve në vitet e fundit dhe pritshmëritë që kjo rritje e çmimeve të vazhdojë po nxit investimin në pasuri të paluajtshme. Shtrenjtimi i pronave është në vetvete një faktor që ndikon në rritjen e volumeve të kredisë, sepse çmimet në rritje bëjnë që edhe pjesa e investimit që financohet me kredi të jetë më e lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimet e pronave në Shqipëri u rritën mesatarisht me 11.3% vitin e kaluar.

Rritja e çmimeve është gjithashtu një faktor që ndikon në uljen e rrezikut të kredisë për bankat, duke qenë se ato mbajnë si kolateral prona me vlerë më të lartë dhe me pritshmëri për të fituar akoma më shumë vlerë në kohë, nëse kjo tendencë për rritjen e çmimeve vazhdon.

Vendimmarrja e individëve për të blerë shtëpi me kredi gjithashtu po mbështetet edhe nga normat e ulëta të interesit dhe nga oferta e lartë e bankave për këtë produkt. Për bankat, kredia për shtëpi ka ndër raportet më të ulëta të kredive me probleme, afërsisht sa gjysma e raportit mesatar të kredive me probleme për portofolin total të huasë.

Për shkak të afateve të gjata të maturimit, ky produkt iu mundëson bankave rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë në kohë, që nënkupton asete prej nga sigurohen të ardhura që zgjasin më shumë dhe kanë një amortizim të ngadaltë në kohë. Kredia në shtëpi siguron volume të kënaqshme huadhënieje, por paralelisht edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut në shumë huamarrës.

Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë bankare për blerje banesash arriti vlerën e 133.5 miliardë lekëve ose pothuajse 1.1 miliardë eurove. Në një vit, portofoli i kredisë për shtëpi është rritur me 11%, ritëm ky ndjeshëm më i lartë se rritja mesatare e kredisë për ekonominë gjatë të njëjtës periudhë. /Monitor/

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull