Franca miraton ligj që nxit vaksinimin

3 Minuta Lexim

Parlamenti i Francës miratoi legjislacionin që i bën vaksinat kundër coronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe e zgjeron listën e vendeve që kërkojnë të ashtuquajturën leje shëndetësore.

Ndryshimi vjen pas protestave në Francë kundër rregullave. Por, presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron, thotë se synon ta bëjë vaksinimin armë kryesore kundër coronavirusit, ndërsa, sipas Qeverisë së tij, ndryshimet janë të nevojshme për t’i mbrojtur njerëzit e cenueshëm, si dhe për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve.

Ligji që i bën të detyrueshme vaksinat për punëtorët e kujdesit shëndetësor, u jep atyre kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen – në të kundërtën, rrezikojnë pezullimin.

Ndryshimet në lejen shëndetësore hyjnë në fuqi në gusht, nëse miratohen nga Gjykata Kushtetuese.

Leja tregon se njerëzit janë vaksinuar kundër coronavirusit, janë shëruar prej tij ose kanë rezultuar negativë gjatë testimit. Ajo është kërkuar për hyrje në muze, kinema, pishina dhe vende të tjera që tërheqin turma të mëdha.

Me rregullat e reja, leja do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante dhe bare, si dhe për të bërë udhëtime në distancë të gjatë me trena dhe aeroplanë.

Ashtu sikurse shumë vende të tjera në Evropë, Franca është duke u përballur me variantin shumë ngjitës të koronavirusit, Delta. Infeksionet ditore janë rritur në 22,000 nga 4,000 sa kanë qenë në fillim të korrikut. Shtrimet në spital janë po ashtu në rritje.

Pak më pak se 50 për qind e popullsisë së Francës – prej 67 milionë banorësh – është e vaksinuar plotësisht. Kjo është ende larg çdo pragu që disa ekspertë thonë se mund të ndihmojë në frenimin e përhapjes së coronavirusit.

Autoritetet gjetkë po i rrisin përpjekjet për të nxitur vaksinimin masiv.

Në Gjermani, Qeveria është duke shqyrtuar kufizime për njerëzit e pavaksinuar, nëse numrat e rasteve me koronavirus arrijnë lartësi të reja në muajt e ardhshëm.

Helge Braun, shef i stafit të kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se njerëzit e pavaksinuar mund të ndalohen të hyjnë në vende si: restorantet, kinematë apo stadiumet sportive, “sepse rreziku është shumë i lartë”.

Braun i tha gazetës “Bild am Sonntag” se politikat e tilla do të ishin të ligjshme, sepse shteti ka përgjegjësi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tij.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull