Sindikata e artistëve të Cirkut Shqiptar ka vendosur të apelojë vendimin e gjykatës shkallës së parë që i ka kaluar pronën dy pronarëve. Ditën e djeshme ata kanë zhvilluar një takim në Ministrinë e Kulturës, por mesa duket aty nuk kanë marrë një zgjidhje, prandaj dhe sindikata ka vendosur t’i drejtohet apelit. Duke folur për mediat, një nga artistët tha se janë të vendosur t’i drejtohen gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK, derisa të marrin një zgjidhje. “Nga ana e gjykatës nuk është bërë njoftimi. Ne po ndërmarrim të gjitha hapet e nevojshme në bashkëpunim me ministrinë për ta çuar si çështje. Mendojmë se është një aferë e madhe në mes.
Ne i kemi kërkuar të jemi palë në çdo vendim dhe çdo hap që do të merret. Pra të marrim njoftimet e duhura. Nuk është apeluar dhe nuk është mbrojtur nga institucionet përkatëse. Ministria e Kulturës nuk ka marrë dijeni. Ky ka qenë problem i hershëm. Para disa ditësh u njohëm me vendimin e gjykatës që pronari duhet të lirojë truallin. Janë dy pronarë dhe sipërfaqja totale shkon rreth 1500 m. Sipas vendimeve ne posedojmë truallin në mënyrë të paligjshme. Ne që jemi prej 50 vitesh në pronë publike, dalim para disa fakteve që e posedojmë në mënyrë të paligjshme”, u shpreh një prej artistëve. Një tjetër artis deklaroi se vendimi është i pavlefshëm dhe se ata kanë shpresë që do të marrin një zgjidhje nga SPAK, Gjykata e Lartë apo ajo Kushtetuese.
“Do t’i drejtohemi SPAK. Do të vazhdojmë ta mbrojmë. Kemi shpresë. Objekti i padisë i kalon 5 milionë lekë të reja. Është vendim totalisht i pavlefshëm. Mund të jetë i drejtë, i padrejtë por i pavlefshëm. Kemi shpresë që apeli do ta pranojë kërkesën tonë. I jemi drejtuar gjykatës së lartë dhe do t’i drejtohemi dhe kushtetueses. Do ta shohim deri në fund, do ta vendosi SPAK, Apeli, Gjykata Kushtetuese”, u shpreh ai.