Ngjyrat e flamurit të Kroacisë kanë ndriçuar mbrëmë ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, së bashku me mbishkrimin “Faleminderit Kroaci/Hvala Hrvatska”.
Me këtë detaj të veçantë, Qeveria e Republikës së Kosovë ka falënderuar Republikën e Kroacisë për ndihmën që iu dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod. Në këtë aksident humbën jetë dhjetë persona dhe mbetën të plagosur mbi 40 të tjerë. Ata po udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje dhe respekt të veçantë për kryeministrin kroat, Andrej Plenkovic dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar bashkëqytetarët e lënduar dhe institucionet e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ruajë miqësinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme me shtetin mik të Kroacisë, që e ka përkrahur shtetin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.