Kreu i njësisë së antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano ka dhënë detaje në lidhje me operacionin për riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria, ku tha se ende 30 persona nuk janë kthyer në vendin tonë.
Në ndryshim nga Rama, i cili tha se disa punonjësve iu rrezikua jetë gjatë operacionit, Nano nuk pranoi të bënte asnjë koment për temën, ndërsa shtoi se burrat e zonjave të kthyera sot në Siri, një pjesë janë duke vuajtur dënimin në burgje.
“Kemi punuar që në operacionin e kaluar, rreth 30 persona të tjerë janë në kampin e Al Haël, pjesa më e madhe e personave nuk kanë bashkëpunuar. Operacioni ka qenë në vijim, pa asnjë ndërprerje, nuk dua të flas për këtë temë”, tha Nano gjatë fjalës së tij për mediat.
Kanë mbërritur sot në aeroportin e Rinasit 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptarë nga kampi i ferrit Al Hawl. Gratë dhe fëmijët shoqërohen nga kryeministri Edi Rama, ministri i brendshëm Bledi Çuçi, dhe të tjerë përfaqësues të lartë të shtetit.
Gjatë fjalës së tij përpara gazetarëve në Rinas, kryeministri Edi Rama tha se do të ketë një tjetër operacion për të kthyer shqiptarët e tjerë të mbetur në Siri, ndërsa tha se ka pasur prej tyre që nuk duan të kthehen edhe pse janë gjetur.
Sipas kryeministrit këta janë persona që mbahen peng brenda kampit, dhe kanë frikë për jertën e tyre në rast se do të pranojnë të kthehen në Shqipëri.
19 gratë dhe fëmijët që janë kthyer sot në atdhe, do të dërgohen në një vend strehimi në Durrës, ku do të trajtohen edhe në aspektin psikologjik, deri në rehabilitimin e plotë të tyre.