Një sasi prej 14.3 kg kokainë u kap sot në Portin e Durrësit, por droga ishte zbuluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit në Shkodër.
Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me sasinë e drogës së sekuestruar, ndërsa njoftoi finalizimin e operacionit antidrogë të koduar “Perëndimi”.
Gjthashtu policia tha se ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e automjetit, Besnik Ruçi, 42 vjeç, me të cilin po transportohej lënda narkotike.
“Ditën e sotme, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare të DVKM Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bazuar dhe në analizën e riskut, në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit në kuadër të operacionit policor “Perëndimi”, kanë kaluar në vijën e dytë në dalje një automjet tip “Benz” me drejtues shtetasin B. R.
Për një kontroll më të specializuar automjeti është shoqëruar në Portin e Durrësit, ku është kontrolluar nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit të Durrësit, që veprojnë përher në Port.
Nga kontrolli i specializuar rezultoi se në automjet në pjesën e kroskotit ishin fshehur pako me lëndë të dyshuar si kokainë me peshë rreth 14.3 kilogramë”, njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi B. R., 42 vjeç, banues në Durrës, (drejtuesi i automjetit).
Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike.