“Open Cinema” shfaq filmin “Margarita”, homazh për regjisorin Kujtim Gjonaj

2 Minuta Lexim

“Open Cinema” në edicionin e pestë po vijon me filmat dhe në Tiranë. “Open Cinema” në mbrëmjen e së enjtes te Pazari i Ri në Tiranë solli dhe filmin dokumentar “Margarita”. Një film për aktoren e madhe Margarita Xhepa, me regji nga Kujtim Gjonaj. Producenti dhe kineasti Skënder Jaçe shprehej të premten se filmi u prit me interes nga publiku i pranishëm. “Mbrëmja e djeshme në Tiranë, zgjoi interes në filmin dokumentar “Margarita” të regjisorit Kujtim Gjonaj, si një homazh për punën dhe krijimtarinë e tij në kinematografinë shqiptare”, pohon Jaçe.

Në shkurt të këtij viti u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare skenaristi dhe regjisori i njohur Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh”. Mbi 100 filma dokumentarë të realizuar ndër vite e bënë regjisorin Kujtim Gjonaj një nga emrat e vlerësuar në kinematografinë shqiptare. Regjisori dhe skenaristi, i nderuar me çmime dhe vlerësime në evente apo festivale të ndryshme, disa vite më parë nisi punën për një tjetër film dokumentar, i cili i kushtohej aktores së madhe Margarita Xhepa. Ndër dhjetëra filma që ka realizuar, në 23 prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” nga Kujtim Gjonaj do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” u vlerësua me çmimin e parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Palermo, në vitin 1998 u vlerësua gjithashtu me çmimin e parë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit me dokumentarin “Enciklopedi që ecën më këmbë”.

Në vijim të aktivitetit Kujtim Gjonaj vlerësohet me Kupën e Festivalit në Festivalin e XII-të të Filmit Dokumentar në Tiranë në vitin 2006, me “Ëndrra e Çamërisë” nderohet dhe me çmimin “Kult”, etj. Përballë kësaj krijimtarie kaq të gjerë ndër vite filmat e tij kanë marrë vlerësimin e publikut, por dhe të emrave të njohur të kinemasë shqiptare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull