Itinerarit turistik të parkut arkeologjik të Amantias i është shtuar një tjetër monument unik për t’u eksploruar nga turistët. Puna e specialistëve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, bëri të mundur realizimin e gërmimit arkeologjik të shpëtimit të varrit monumental, në varrezën antike të parkut arkeologjik të Amantias, falë së cilës doli në pah e gjithë struktura arkitektonike e këtij varri. Në një material që ka publikuar IKTK thuhet se varri i tipit “Maqedon”, ose siç njihet ndryshe si varr i tipit me mbulesë qemeri, është ndër të paktët të zbuluar në vendin tonë që i ruan të gjithë elementet arkitektonikë. “Përmasat e mëdha, veçoritë në elementët e ndërtimit, si dhe veçoritë në elementët e mbulimit, i japin këtij monumenti vlera unikale”, shprehet IKTK, që ka publikuar dhe një video që tregon parkun arkeologjik të Amantias. Gërmimet arkeologjike të shpëtimit në varrezën antike të parkut arkeologjik të Amantias përfunduan pas dy muajve.
Në përfundim të tyre, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë shprehej se Amantia surprizoi përsëri. Amantia u themelua në fund të shekullit V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër dhe është e fortifikuar me mure. Në shekullin e III-të para Krishtit qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit. Parku arkeologjik i Amantias ofron edhe monumentet unike si, stadiumi antik, bazilika paleokristiane, tempulli i Afërditës, varret monumentale të nekropolit verilindor, etj. Gjetjet më të hershme nga Amantia, qeramike dhe figurina prej bronzi, i takojnë shekulli VI p.e.s. dhe lidhet me një vendbanim protourban, kurse gjetjet prej qeramike u përkasin dy grupe: gjetjet enë të vogla me vernik të zi dhe enë të ndryshme.