Zbulohet skema/ Si i fsheh gjashtë milionë euro në vit “Mamuthi i korrupsionit”

6 Minuta Lexim

Çudia është, se me Vendim Nr. 411, datë 06.07.2007 të Gjykatës-Tiranë, Anastas Angjeli ( i etiketuar nga ish kryeministri Berisha si “Mamuthi i korrupsionit”), e ka regjistruar Universitetin “Mesdhetar”, me emrin “Organizata Jo Fitimprurëse Mesdheu” pa aktivitet biznesi, por për studime shkencore ekonomike, duke përdorur vetëm donacione e punë vullnetare shkencëtarësh…

Kështu theksohet në një shkrim të publikuar nga “Pamfleti”, në vijim të publikimit të dokumenteve që faktojnë krimin financiar miliona eurosh çdo vit, që ish-ministri dhe deputeti Anastas Angjeli, vazhdon të bëjë nëpërmjet mashtrimit në tatime e në pazar me shefat e tatimeve, duke vepruar prej 14 vitesh me “lavatriçen” e quajtur universiteti “Mesdhetar”.

Në vijim të denoncimit “pamfleti” vijon:

“Me statusin “OJF-Mesdheu”, vazhdon të jetë akoma i regjistruar dhe i deklaruar në tatime, ku çdo muaj, Anastas Angjeli dorëzon listë-pagesat e punonjësve për sigurime shoqërore e shëndetësore dhe bilancet vjetore që i nxjerr me… zero lekë fitim.

Ndërsa prej 12 vitesh, me Vendim Qeverie Nr. 177, datë 19.02.2009, të firmosur nga Sali Berisha; OJF-ja “Mesdheu” është miratuar dhe futur në regjistrin tregtar me emërtesën “Shkolla e Lartë Private Mesdhetari”, si biznes i mirëfilltë.

Sipas këtij vendimi qeverie, “Mumuthi” Anastas Angjeli ushtron aktivitet biznesi në arsimin e lartë prej 12 vitesh, me regjistrim studentësh e dhënie diplomash për ciklin 3 vjeçar “Bachelor”, në degët Shkenca Politike; Ekonomi; Marrdhënie Ndërkombëtare e Diplomaci.

Por Anstas Angjeli, nuk deklaron në tatime, mesatarisht 3.5 milionë Euro në vit nga regjistrimet e 1850-2000 studentëve dhe afro 800 mijë Euro në vit, nga dispensat e librat që printon dhe ua shet me presionin, se nuk futen në provime e diplomim, pa figuruar si blerës të tyre.

Po kështu, vepron me të ardhurat që grumbullon nga fondet qeveritare dhe shitjet e gjoja studimeve te Akademia e Shkencave, ku është anëtar Kryesie e Shef i Sektorit të Literaturës; por dhe në kryeministri, nëpër ministri, universitete publike, drejtori qëndrore e deri në Kuvend.

Mashtrim tatimor, Anastas Angjeli, bën dhe me numrin pedagogëve e punojësve të tjerë të universitetit “Mesdhetar”, duke deklaruar vetëm 35 punonjës me paga 60-70 mijë lekë si gjoja punonjës të OJF; kur sipas raportit vetëm pedagogë ka 143 të punësuar.

Në lojën e fshehjes së të ardhurave reale, “mumuthi” Anastas Angjeli, po përdor dhe marifetin, sikur 12% të numrit të total të studentëve ose afro 200 persona i regjistron falas; si gjoja fëmijë jetimë, fëmijë familjesh të varfëra, maturantë ekselentë e fëmijë me aftësi të kufizuara.

Madje mashtrimi i tij, është aq qesharak, sa deklaron se 3% e të regjistruarve çdo vit në universitetin “Mesdhetar”, janë fëmijë dëshmorësh të luftës Nacional-Çlirimitare; kur dihet që fëmijët e të vrarëve deri në luftë deri më 20 nëntor 1944, sot janë minimalisht 78-80 vjeç.

Përveç licensimit nga Sali Berisha, fakti që “gropa e zezë” e quajtur  universiteti “Mesdhetar” është biznes e jo OJF; vërtetohet nga Urdhëri Nr. 291, datë 11.07.2012 i Ministrisë së Arsimit, për miratimin e programeve Bachelor, akreditur dhe me Vendim nr. 105, datë 10.11.2017 nga bordi në ministri.

Gjithë këtë skemë “lavatriçe”, që shkon deri 6 milionë Euro fshehje në vit, Anastas Angjeli e realizon nëpërmjet gruas, djalit e vajzës së tij; dhe dy bashkëshortëve auditues të jashtëm të pavarur, Hysen Çela e Nexhmije Çela, të cilët marrin dhe pagë si të punësuar në këtë universitet.

Sipas skemës së mashtrimit të lejuar nga tatimet, Universiteti quhet “OJF-Qendra Mesdheu” e sipas statutit të saj; raportet financiare vjetore i harton Bordi i Administrimit, bilancet kontabël i harton Ekspreti i Jashtëm dhe i miraton e dorëzon në tatime Kryetari i Bordit.

Mirëpo anëtar Bordi në këtë të ashtuquajtur OJF, janë gruaja Greta Angjeli dhe vajza Jona Angjeli, ndërsa kryetar Bordi është djali Eros Angjeli, i cili është i atorizuar për veprimet me tatimet.

Mashtrimi lejohet e nuk preket, dhe për faktin se përveçse gruaja, vajza e djali i “mumuthit”, janë anëtarë e drejtues Bordi të “lavatriçes” OJF-Mesdheu; gruaja Greta Angjeli është Kryetare e Ekspertëve Kontabël të Shqipërisë në Ministrinë e Financave; djali Eros Angjeli është Drejtor i Përgjithshëm i Auditimit Financiar-Tatimor në Ministrinë e Financave, ndërsa vajza Jona Angjeli është Këshilltare e Jashtme e Ministres së Financave, Anila Denaj.

Ndërsa Anastas Angjeli, duke bërë sikur nuk ka dorë, në këtë mashtrim bilancesh tatimore me vlerë afro 6 milionë Euro në vit; figuron vetëm si “President Nderi” i univesitetit “Mesdhetari”.

SPAK duhet ta hetojë, se çfarë fshihet pas “nderit” të Anastas Angjelit, në veprimtarinë financiare të këtij univesiteti “lavatriçe”; për të cilat, në vijim do publikojmë fakte të tjera pastrimi miliardash, me biznese ndërtimi, doganore, restorante, njësi tregtare e turizëm”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull