Në kuadër të super-operacionit të Policisë të koduar ‘Shpirti’, mësohet se forca Renea dhe OFL kanë zbarkuar edhe në fshatin Lazarat të Gjirokastër, ku kanë bërë të mundur arrestimin e një personi. Ai është identifikuar si Ilir Gaba.
Në kuadër të këtij operacioni mësohet se janë lëshuar 38 urdhër arreste, në mesin e të cilëve dhe zyrtarë të lartë të prokurorisë dhe Policisë shqiptare.
Burime bëjnë me dije se janë kryer kontrolle në disa qytete të ndryshme të vendit, dhe janë ekzekutuar masat e ndalimit për dhjetëra persona, me urdhër të SPAK në bashkëpunim me anti-mafian italiane.
Në mesin e të arrestuave është prokurori i Vlorës, Maksim Sota, i cili do të mbahet nën masën e arrestit të shtëpisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në të njëjtën masë të arrestit të shtëpisë do të jetë dhe shefi i sektorit të trafiqeve në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, Ilirjan Balla, i cili po ashtu akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre.
Ndërkohë që në mesin e personave që janë hetuar gjatë këtij operacioni është dhe ish-oficeri i policisë së Vlorës, Festim Lelaj, i cili gjendet nën masën e arrestit, dhe prokuroria ka kërkuar ndaj tij 17 vite burg, po për trafik droge.
Një tjetër zyrtar që ka dalë në përgjime është edhe Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Bashkinë Kavajë, ndërkohë që pritet dhe dalja zyrtare e Arben Krajës, për të dhënë më shumë detaje rreth këtij operacioni.
Mes personave të arrestuar bëjnë me dije burimet është dhe zëvendësdrejtori i policisë së Vlorës.
Mësohet se grupi i goditur merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe dyshohet se lënda narkotike që ata kanë trafikuar kap shifrën e 40 milionë eurove.
Të tjera detaje janë bërë publike në herët në lidhje me operacionin ndërkombëtar të drogës, të zhvilluar në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, ku u godit rrjeti i trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.
Nga hetuesit shqiptarë dhe ata italiane behet e ditur se është zbuluar një rrjet i drogës në të gjithë hallkat e zinxhirit të tij. Hetimet janë thelluar më tej edhe në pastrimin e parave, ndërkohë që janë sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro.
Janë pesë punonjës policie dhe 1 prokuror mes personave të arrestuar nga operacioni ndërkombëtar kundër një grupi kriminal të dyshuar për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash e trafik ndërkombëtar të sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike.
Në total janë lëshuar 38 urdhër arreste, 10 prej të cilëve janë arrestuar më parë dhe ata ndodhen në Itali. Ndërkohë edhe personat e arrestuar në Mal të Zi dhe në Spanjë janë kryesisht shqiptarë.
Të dhëna më të hollësishme mbi operacionin, do të jepen gjatë konferencës me shtypin që do të bëhet sot në Tiranë në orën 10:30, ku do të marrin pjesë dr. Cafiero DE RAHO – Prokuror kombëtar i Anti-mafias e Anti-terrorizmit, Arben Kraja – Drejtues i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionin e Krimit të Organizuar, dr. Filippo SPIEZIA – Zëvendës President e prestar për palën e Italisë në Eurojust, dr. Roberto ROSSI – Kryeprokuror i Republikës në Bari dhe zoti Maurizio VALLONE – Drejtori i Përgjithshëm i DIA-s Ardi Veliu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare./FaxWeb