Ministri i brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me operacionin e ndërmarrë nga SPAK dhe antimafia italiane, që çoi në pranga 38 persona, për trafikimin e një sasie prej 6 tonësh drogë.
Çuçi shprehet se ku ”është edhe një proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit”. Mes personave të arrestuar janë dhe dy shoqëruesit e paraardhësit të Çuçit në Ministrinë e Brendshme, Saimir Tahirit.
Postimi i Çuçit:
Policia e Shtetit ishte pjesë e një tjetër OPERACIONI NDËRKOMBËTAR për goditjen me ashpërsi të elementëve kriminalë të implikuar në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, të dyshuar për korrupsion e pastrim parash, mes tyre edhe zyrtarë të agjencive ligjzbatuese. Ky është edhe një proces vetë-pastrimi, nga ata që nuk e meritojnë të jenë në radhët këtyre agjencive, e do të përgjigjen para ligjit.
Hetimi i mirë-koordinuar me autoritetet italiane dëshmon kapacitetet në rritje të SPAK dhe Policisë së Shtetit, që janë sot partnerë dinjitozë në luftën kundër krimit të organizuar, që nuk njeh kufij. Aksioni, shembull i ruajtjes së konfidencialitetit, megjithë kompleksitetin e tij.
Pasuri të dyshuara me burim aktivitetin kriminal janë sekuestruar gjatë këtij operacioni, për të goditur financat e grupeve kriminale dhe kthyer këto pasuri, në të mira publike për qytetarët tanë.
Një vlerësim i posaçëm për prokurorët e angazhuar drejtpërdrejtë në hetim dhe gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të agjencive që ndihmuan në këtë hetim, drejtuesve të operacionit, si dhe një falënderim për partnerët e huaj, për bashkëpunimin. Të tjera rezultate domethënëse do të ketë në luftën me paligjshmërinë!
Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me operacionin ”shpirti” ku janë lëshuar urdhër arreste për 28 persona. Mes personave të arrestuar nga radhët e policisë së shtetit, janë dhe dy shoqërues të ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
“Në veçanti, masat e sigurisë personale janë ekzekutuar, (përveç 10 shtetasve që janë arrestuar më parë në kuadër të operacionit Kulmi) edhe per një administrator publik (drejtor), nje prokuror, tre zyrtar të larte te policisë e dy punonjes te tjere policie, këta dy të fundit në kohën e kryerjes së veprave penale – në vitin 2016 – me detyrën e pjestarëve të grupit te shoqerimit të ish – Ministrit të Brendshëm.
Zyrtarët publik, në disa raste pronarë të drogës, kanë garantuar, jo vetëm nga ana tokësore, por edhe detare në Shqipëri, që dërgimi i lëndës narkotike i destinuar në brigjet e Puglia-s të kryhej me siguri të plotë”, njofton mes të tjerave SPAK.
Burimet bëjnë me dije se hetimet e SPAK janë përqëndruar në dosjen e kanabizimit të vendit, dhe kanë përzgjdhur vetë punonjësit e policisë me të cilët kanë bashkëpunuar, pasi i druheshin ndonjë dekonspirimi të mundshëm të operacionit.
Në tërësi, në kuadër të hetimeve nga ky operacion janë sekuestruar rreth 6 (gjashtë) tonelata lëndë narkotike të tipit marijunë, kokainë e hashish, duke i hequr organizatave kriminale të ardhura të vlerësuara në mbi 55 milion euro, për një sasi totale prej rreth 14 milion dozash njëshe që dalin nga shpërndarja me pakicë
Në mesin e të arrestuave është prokurori i Vlorës, Maksim Sota, i cili do të mbahet nën masën e arrestit të shtëpisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në të njëjtën masë të arrestit të shtëpisë do të jetë dhe shefi i sektorit të trafiqeve në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit, Ilirjan Balla, i cili po ashtu akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre.
Ndërkohë që në mesin e personave që janë hetuar gjatë këtij operacioni është dhe ish-oficeri i policisë së Vlorës, Festim Lelaj, i cili gjendet nën masën e arrestit, dhe prokuroria ka kërkuar ndaj tij 17 vite burg, po për trafik droge.
Një tjetër zyrtar që ka dalë në përgjime është edhe Saimir Kurti, drejtor i zyrës së punës në Bashkinë Kavajë, ndërkohë që pritet dhe dalja zyrtare e Arben Krajës, për të dhënë më shumë detaje rreth këtij operacioni.