Teatri kthehet në pronësi të qeverisë! Ja pse nuk u shqyrtua çështja e prishjes së ndërtesës

3 Minuta Lexim

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese nxorri sot vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Lidhur me çështjen kryesore, nëse duhej prishur apo jo ndërtesa, Gjykata nuk arriti të vendosë, pasi nuk siguroi dot numrin e duhur të votave 5, për pasojë kërkesa e palës paditëse u rrëzua.

Në dy vendime të tjera po për Teatrin, Gjykata shpalli si anti-kushtetues vendimin e qeverisë për t’ia kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, si dhe vendimin për procedurat e veçanta për ndërtimin e teatrit të ri.

Ligji i veçantë për procedurat e ndërtimit ishte tejkaluar nga zhvillimet, pasi kontrata me firmën rivate, që do të realizonte ndërtimin kishte dështuar më parë.

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kuashtetuese, pronësia e Teatrit i mbetet përsëri qeverisë, çka kërkon rifillimin e gjithë procedurave për teatrin e ri.

Regjisori i njohur, Robert Budina, tha për “Zërin e Amerikës”, se “ky vendim shënon një fitore për sakrificat e mijëra qytetarëve, që mbrojtën Teatrin Kombëtar me histori shumë-vjeçare”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar tha se do të vazhdojë edhe në Gjykatën e Strasburgut të këmbëngulë për të nxjerrë para drejtësisë ata që shkatërruan Teatrin Kombëtar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, shkroi në rrjetet sociale se Gjykata Kushtetuese “i dha të drejtë Bashkisë së Tiranës, duke lënë në fuqi vendimin për prishjen e Teatrit Kombëtar” dhe se pas kësaj nis “ndërtimi i një teatri më moderni në Ballkan”.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në reagimin e tij, se “Gjykata Kushtetuese foli e tani radhën e SPAK”.

Teatri Kombëtar i Shqipërisë u shkatërrua në mesin e pandemisë më 17 maj të vitit të kaluar, me pretendimin se po aty do të ndërtohej një teatër i ri.

Ndërtesa historike e Teatrit Kombëtar u mbrojt fizikisht për afro 2 vjet nga qytetarë dhe veprimtarë, të cilët zhvillonin aty edhe shfaqje artistike.

Organizata Europa Nostra e shpalli Teatrin Kombëtar si një nga objektet kulturore më shumë të rrezikuara në Europë.

Protesta 3-vjeçare nuk i pengoi megjithatë autoritetet, që ta rrëzonin ndërtesën në agim të 17 majit 2020, me mbështetjen e një numri të jashtëzakonshëm forcash policore, kur shumica e qytetarëve ishin mbyllur në banesa prej rrezikut të pandemisë.

Veprimtarët denoncuan përpjekjet, që sipas tyre, po bëheshin për të mbuluar një aferë të madhe korruptive prapa fasadës së një teatri të ri.

Por qeveria hodhi poshtë njoftimet e tyre se në atë zonë do të ndërtoheshin një seri kullash shumëkatëse, dhe se qëllimi ishte vetëm të ndërtohej një teatër i ri. /VOA

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull