Konkurrentë apo kundërshtarët më të mëdhenj?

6 Minuta Lexim

Nga Aleksandër ÇIPA –

Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës janë përcaktuese të graviteteve dhe makro-ekuilibrit gjeopolitik botëror. Sjelljet dhe qëndrimet respektive të këtyre dy vendeve përcaktojnë jo vetëm në mënyrë të vetëvetishme ekuilibrat e sistemit ndërkombëtar që formësohet, por më së shumti edhe gravitetin për rajone apo edhe relacione multilaterale në rajone të ndryshme, madje edhe brenda kontinenteve të botës.

Europa është një ndër kontinentet që përgjatë dekadës së fundit ka qenë nën ndikim të madh dhe, në kreshendo, e ka shtuar ndjeshmërinë ndaj këtyre marrëdhënieve, duke u gjendur shpeshherë edhe ndërmjet shtysave prej të dyja palëve.

Sot për sot, Kina dhe SHBA përfaqësojnë dy ekonomitë më të mëdha të botës. Si të tilla, ndikimet dhe qasjet ekonomike dhe tregtare të krejt vendeve njohin ulje dhe ngritjet që përcaktohen nga marrëdhëniet bilaterale dhe jo vetëm të këtyre dy gjigandëve ekonomikë dhe politikë. Në vetvete, këto dy ekonomi shprehin njëherësh edhe marrëdhënie që menaxhohen në koncepte të ndryshme dhe shpesh edhe divergjente përballë njëra-tjetrës.

Përgjatë dekadës së fundit, rritjen ekonomike të vetvetes Kina e ka dëshmuar si një realitet imponues. Kjo ka ndodhur përmes treguesve dhe hartës së shumështrirjes së tregtisë, shkëmbimeve, investimeve dhe transferimeve të kapitaleve. Industritë kineze, si mishërim i zbatimeve teknologjike dhe inovacioneve në rritje, po imponohen në tregun global dhe kanë bërë të mundur të skicohen harta të reja të investimeve dhe ndryshimeve infrastrukturore në rajone të ndryshme të hapësirës globale. Madje, aspektet teknologjike prej kohësh janë shtuar si një avantazh i Kinës, përtej gamës tradicionale të konkurrencës, avantazhit kompetitiv dhe përballjes tensionuese.

Në nivel global, këto zhvillime dhe dukur pohohen e rikonfirmohen në rrafshin komunikativ. Njëkohësisht, kanë bërë të mundur të kompozojnë dhe një cikël reagimesh ndryshe dhe pohimesh politike të të dy fuqive të mëdha. Ndërkohë që ekspertë dhe ish-funksionarë të rëndësishëm të së shkuarës së afërt (dhe me forcë opinion-bërëse aktualisht) po artikulohen, me maturitet, por gjithmonë e më shumë për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy fuqive globale. Nëpërmjet përvojës së shumtë të administrimit në politikë dhe shtetdrejtimit, ata po ofrojnë një panoramë gri, por edhe alternativa për ecurinë dhe qasjen reciproke.

Në Forumin Botëror të Paqes që u mbajt së fundmi në Pekin, disa prej oratorëve që vinin nga identitete të ndryshme politike e shtetërore, pothuajse pikëtakoheshin në konstatimin e rritjes së pandalshme të ekonomisë kineze. Përfaqësues të analizës diplomatike në Perëndim ndajnë në mënyrë konstante të njëjtin konkluzion.

Një nga arkitektët më të rëndësishëm të historisë së rishtë të diplomacisë amerikane, tashmë veterani më jetëgjatë i analizës diplomatike, ish sekretari i Shtetit Henry Kissinger, dakordësohet në këtë përfundim teksa nënvizon se “politika e SHBA ndaj Kinës duhet të marrë një qasje të dyfishtë: të qëndrojë e vendosur mbi parimet e SHBA për të kërkuar respektin e Kinës, duke mbajtur një dialog të vazhdueshëm dhe duke gjetur fusha të bashkëpunimit”.

Sipas tij, kjo qasje e maturuar është e leverdishme jo vetëm si një rrjedhim i një analize logjike dhe racionale, por edhe për hir të interesave kombëtare të Shteteve të Bashkuara, parë këto nën lupën e konkurrencës strategjike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Në Forumin Botëror të Paqes në Pekin, ish kryeministri australian Kevin Rudd nënvijëzoi nevojën për një kornizë strategjike të konkurrencës për të menaxhuar problemet në rritje të sigurisë dhe tensioneve të shtuara në politikën e jashtme. Sugjerimi i tij lind padyshim dhe si pasojë e nevojës për të adresuar në mënyrë përbashkuese disa sfida madhore globale si ndryshimi i klimës ose dhe bashkëpunimi për kontrollin dhe tejkalimin e pandemisë.

Shumica e ekspertëve të çështjeve ndërkombëtare këmbëngulin se rivendosja e një dialogu konstruktiv dhe kanaleve të qëndrueshme të komunikimit ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është e domosdoshme dhe urgjente, pavarësisht se sfidat e përballjes janë tejet të konsiderueshme dhe qëndrimet e tyre për shumë çështje janë konfliktuese me njëra-tjetrën.

Megjithatë, nën këtë pikëpamje, duket sikur ka një transformim të qëndrimit të vendim-marrësve kryesorë dhe kjo bie në sy veçanërisht në kahun e Shteteve të Bashkuara. Konsiderata e Presidentit Joe Biden për Kinën si “konkurrenten më të madhe”, është politikisht më kumtuese se sa referimi i paraardhësit të tij, presidentit Trump, kundrejt Kinës si “kundërshtari më i madh”. Padyshim që këto ndryshime qasjesh reflektohen në politikë-bërje.

Në këtë klimë tensioni dhe kundërshtie potenciale, të dy fuqitë kanë mundësinë e ndërtimit të një kornize strategjike, si për konkurrencën, ashtu edhe për menaxhimin e problemeve dhe tensioneve në rritje.

Duke rishikuar disa nga propozimet e presidentit Biden për politikën dhe qasjen e ardhshme të Uashingtonit ndaj Kinës, ish-Sekretari Kissinger kërkoi kujdes kur u pyet në lidhje me idenë e ndërtimit të një koalicioni perëndimor për të “mposhtur” Pekinin. Mbi të gjitha, reflektime të tilla vlejnë kur shqyrtojmë ndikimin e këtij rivaliteti mbi rajone dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë, me një vëmendje të veçantë, mbi Bashkimin Europian.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull