Presidenti amerikan Joe Biden do të presë për një takim kancelaren gjermane Angela Merkel të enjten e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë për të afirmuar lidhjet “e thella dhe të qëndrueshme” mes aleatëve të NATO-s duke trajtuar në të njëtën kohë disa mosmarrëveshje, njoftoi të premten Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë për sulmet e kibernetike që kanë goditur kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën, si dhe për gazsjellësin Nord Stream 2 që do të furnizojë Gjermaninë me gaz natyror nga Rusia, të cilin Uashingtoni e kundërshton.
Zonja Psaki tha se ajo do të ishte një “vizitë zyrtare pune” që synon nxitjen e partneritetit midis dy vendeve dhe identifikimin e rrugëve për të forcuar më tej bashkëpunimin.
Kjo do të jetë vizita e parë e kancelares Merkel në Uashington që kur presidenti Biden mori detyrën në janar. Kancelarja Merkel, tani në mandatin e saj të katërt, ka thënë se do të tërhiqet pas zgjedhjeve kombëtare gjermane në shtator.
Në muajin maj Departamenti amerikan i Shtetit arriti në përfundimin se kompania dhe drejtuesi ekzekutiv Matthias Warnig, një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin, janë angazhuar në një veprimtari të sanksionueshme. Por Sekretari i Shtetit Antony Blinken hoqi dorë menjëherë nga këto sanksione, duke thënë se një lëvizje e tillë ishte në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Biden ka thënë se ai dëshiron të përmirësojë lidhjet me Gjermaninë, një aleate e nevojshme për të ndihmuar në trajtimin e çështjeve më të gjera përfshirë ndryshimin e klimës, rimëkëmbjen ekonomike dhe marrëdhëniet me Iranin dhe Kinën.
Zyrtarët gjermanë thonë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen deri në gusht dhe se takimi Biden-Merkel mund të sigurojë një moment të rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje.
Berlini dhe Uashingtoni kanë gjithashtu mosmarrëveshje lidhur me heqjen dorë përkohësisht nga të drejtat e pronës intelektuale për vaksinat që po shqyrtohet nga anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë për të ndihmuar në dhënien fund të pandemisë COVID-19. Uashingtoni mbështet heqjen dorë përkohësish nga këto të drejta, por Gjermania është kundër.
I pyetur nëse Bideni do të kërkonte të bindte Merkelin për të mbështetur heqjen dorë nga patentat, zonja Psaki tha se presidenti ishte një “mbështetës i fortë” i një veprimi të tillë, por se kjo ishte vetëm një nga disa mjete që mund të përdoren për të rritur nivelin e vaksinimeve COVID-19 në të gjithë botën.//VOA