Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të martë paketën e re të prokurimit publik, që synon sipas të parit të qeverisë, të kapërcejë sa më parë dhe sa më shpejt hendekun mes politikës dhe të ardhmes.
Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi se paketa e re adreson qartësisht domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, si dhe për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet.
Pjesë nga fjala e Kryeministrit Rama:
:Dua që të bëj me shumë pak fjalë një bilanc të cilin do t’ju inkurajoja që ta shikoni edhe sipas fushave, sepse ka të dhëna të rëndësishme që duhen pasur parasysh në vijim:
Gjatë viti 2020 dhe periudhës së parë të 2021 rezulton se janë asistuar 936 procedura të publikuara në SPE, ndër to 70 për qind rezultuan problematike në hartimin e kritereve dhe për ketë arsye institucioneve përkatëse iu janë dërguar rekomandime. 20 për qind e institucioneve nuk kanë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar nga rekomandimet e agjencisë se prokurimit publik. Ato rekomandime nuk janë të shkruara në gur, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim një argument, një pikë është cenim flagrant i etikës shtetërore. Dhe të gjithë e dimë, që në problematikat e prokurimeve armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, të cilat ndihmojnë në uljen e SME dhe në ngushtimin e konkurrimit.
Përsa i përket numrit të ofertave janë asistuar për periudhën 2020- janar qershor 2021, 936 procedura, dhe nga këto mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56. Analiza e të gjithë procedurave nga institucioneve, nga 25 institucione, 21 prej tyre i kanë vetëm me një operator ekonomik, pavarësisht se është e hapur.
Po ashtu, nga hetimet e kryera gjatë vitit 2020 dhe 6-mujorin e parë të 2021 janë hetuar 57 procedura prokurimi. Probleme janë konstatuar në përllogaritjen e fondit limit dhe kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje me objektin e kontratës, kualifikim dhe shpallje fitues të operatorëve që nuk plotësojnë kriteret, ndaj janë marrë masa me gjobë dhe masë disiplinore për disa punonjës.
Në këtë moment duhet të bëhet një analizë serioze e kapaciteteve të burimeve tona njerëzore të angazhuara në këto procese, sepse ajo që bie në sy është niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit, që pastaj e degradon procesin në rezultate të shëmtuara. Qëllimi madhor i gjithë kësaj përpjekjeje është që në këtë vend të mos i hahet haku askujt dhe kush e ka me hak, të marri hakun. Dhe kush jo, të mos marrë hakun e një tjetri.”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama gjatë fjalës së tij.