Katër persona kanë rënë në prangat e Policisë së Durrësit, pasi janë kapur në kushtet e flagrancës duke trafikuar kokainë. Në operacion janë përfshirë dhe Forcat Operacionale, të cilat kanë bllokuar mjetin me të cilin dy nga katër të arrestuarit lëviznin te “Ura e Dajlanit”.
Nga Policia u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Nënkalimi”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Arian Plaku, 46 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– Edmond Gjyzeli, 37 vjeç, banues në Durrës.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Durrës.
Operacioni i Policisë së Durrësit dhe Forcës Operacionale:
Shërbimet e Policisë, rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Urës së Dajlanit” kanë ndaluar mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Edmond Gjyzeli dhe pasagjer shtetasin Arian Plaku. Gjatë kontrollit në mjet, në pjesën e poshtme të sediljes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik, shtetasit Edmond Gjyzeli iu gjet në brez një armë zjarri pistoletë me 14 fishkë. Ky shtetas, gjatë ndalimit të mjetit nga forcat e Policisë, ka goditur automjetin e agjentëve të Forcës së Posaçme Operacionale me automjetin e tij dhe gjatë arrestimit, ka tentuar të nxjerrë nga brezi armën e zjarrit.
Gjithashtu, në vijim të operacionit dhe mbajtjes nën vëzhgim nga agjentët e Forcës Operacionale në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Ilir Peraj, 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja” dhe “Mbajtja e ambienteve për prostitucion” dhe Stavri Marku, 60 vjeç, banues në Tiranë, pasi janë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 63 gr. lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 1 armë zjarri pistoletë me 14 fishekë, 4 aparate celular dhe 2 automjete. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.