Merr flakë rezidenca e çiftit të famshëm Beyonce dhe Jay-Z
Një rezidencë në Nju Orlins, që besohet se i përket çiftit të famshëm Beyonce dhe Jay-Z është përfshirë nga flakët. Mediat e huaja bëjnë me dije se dyshohet se zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe në vendngjarje mbërritën 22 zjarrëfikese.
Një zëdhënës i Departamentit të Policisë së Nju Orlins tha se ata kishin marrë një raport të një personi të dyshimtë pranë rezidencës në kohën kur zjarri shpërtheu rreth orës 6:20 pasdite të enjten në mbrëmje.
“Nëse ata nuk do të kishin shkuar menjëherë, mund të kishte qenë shumë më keq. Është një shtëpi historike “, u shpreh zëdhënësi, i cili shtoi se nuk ka pasur njerëz të lënduar dhe asnjë evakuim.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të qytetit, ndërtesa historike ka qenë e lirë për ca kohë megjithëse ka shërbime komunale.
Çifti i famshëm thuhet se e kanë blerë shtëpinë në 2015, prej 2 milionë dollarë e cila menaxhohet nga nëna e këngëtares, Tina Knowles.