Plagosja në Shkodër, dyshimet se u qëllua gjatë një operacioni policor/ Çfarë ndodhi?

1 Minuta Lexim

Një person, rreth 55 vjeç, ka mbetur i plagosur në rrethana ende të pazbardhura zyrtarisht në qytetin e Shkodrës. Gjithsesi nga raportimet mediatike janë ngritur dyshimet se i plagosuri mund të jetë qëlluar nga efektivë të forcave speciale, që kishin ndërmarrë një operacion në këtë qytet, për kapjen e tij.

Burime jo zyrtare shprehen se i plagosuri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte në kërkim dhe dyshohej për vepra të rënda penale.

Nga raportimet mësohet se i plagosuri fillimisht është transportuar nga policia drejt spitalit të Shkodrës dhe më pas drejt Traumës, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, e shkaktuar nga plaga me armë zjarri.

Ngjarja mbetet mister përsa kohë policia zyrtarisht nuk ka dhënë një informacion lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në kryeqendrën e veriut, nëse plagosja ka pasur ose jo lidhje me operacionin e forcave speciale, që thuhet se kanë shkuar në këtë qytet, në kuadrin e një operacioni për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull