Gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, jetesën në Kenia, njëra ndër qendrat e pakta botërore ku janë të vendosura selitë kryesore të OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara), projektet ndërkombëtare dhe humanitare në Kenia, shqiptarët në Kenia dhe situatën e covid 19 dhe procesin e vaksinimit atje. Me Salie Gajtani-Osmankaq bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
TË JETOSH NË KENIA
Kenia është njëra ndër qendrat e pakta botërore, ku janë të vendosura selitë kryesore të OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara). Kështu, OKB-ja përpos selive të saj kryesore që ka në Nju-Jork, në Gjeneve dhe Vjenë, një të tillë e ka të vendosur edhe në Nairobi, kryeqytetin e Kenias. Ky shtet afrikan ofron shumë për turistët e huaj, si dhe për vendorët që kanë një standard të lartë jetese. Por të këtillët, në proporcion me numrin e përgjithshëm të popullatës, nuk përbëjnë një përqindje të lartë. Vetëm 10 për qind e popullatës mbi 50 milionëshe që ka Kenia, jetojnë në kushte me standard të lartë jetese. Pjesa tjetër, jetojnë në varfëri. Përkatësisht mbi 80 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri të skajshme. Ndërsa, 10 për qind e banorëve i takojnë shtresës së mesme, e cila sipas qytetarëve vendorë, po shkon duke u rritur viteve të fundit. Kjo do të zbusë hendekun e madh që ekziston midis shtresës së pasur dhe asaj të varfër të qytetarëve kenian, që ka ekzistuar prej dekadash. Kenia ofron shumë për vizitorët, pasi që ka bregdetin në njërën anë, që shtrihet buzë Oqeanit Indian dhe Safarin, në anën tjetër. Kjo, përbën atraksion për vizitorët e huaj që janë të shumtë brenda një viti. Sipas statistikave nga organizata të ndryshme, flitet për miliona turistë që vizitojnë këto atraksione brenda vitit. Kenianët shquhen për muzikën dhe vallëzimin, për prodhimin e luleve, më së shumti trëndafilave, të cilat eksportohen kudo nëpër botë, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.
TRËNDAFILAT NGA KENIA NË SHQIPËRI DHE KOSOVË
Shumica e trëndafilave që mbushin me aromë shtëpitë dhe zyrat e bashkëkombësve tonë, rriten në Kenia. Kenianët shquhen po ashtu edhe për prodhimin e kafesë dhe çajit. Shumica e popullatës merren me bujqësi. Kenianët kanë një mori ushqimesh tradicionale, por ofrojnë edhe ushqime të kuzhinave ndërkombëtare, siç është ai italian, japonez apo libanez. Ndër ushqimet më të njohura vendore është “Ugali” (qull i gatuar me miell misri), pastaj “wikisukuma” dhe “Nyamachoma” (mish dele, ose dhie e pjekur në skarë). Ushqimi bregdetar swahilian është i përzier nga ndikimet afrikane, arabe dhe indiane. Jetesa midis kontradiktës, jetës luksoze dhe varfërisë së skajshme është tipike në Kenia. Ka vendbanime të tëra, me popullatë milionëshe që kanë mungesë të ujit të pijshëm dhe mungesë qasjeje në energji elektrike. Në kryeqytetin kenian, gjendet edhe njëri ndër kampet e ashtuquajtura “sllame” (vendbanime joformale) më të mëdha në botë, ku kushtet e jetesës janë mizore. Ndërkohë, që ka vendbanime në formë lagjesh të mëdha mijëra hektarëshe, ku bëhet jetë luksoze. Shtëpitë janë të mëdha, të shtrira midis palmash e të rrethuara me gjelbërim dhe pishina private. Ato kanë edhe roje të sigurisë së lartë. Kenia, sado që konsiderohet si një destinacion i sigurt krahasuar me disa vende afrikane përreth, sipas të dhënave publike, këtu ende ka probleme me krimin, sidomos në qytetet kryesore. Dhe jo rrallë herë, ka paralajmërime për kërcënimin e terrorizmit.
PROJEKTET NDËRKOMBËTARE DHE HUMANITARE NË KENIA
Kenia përbën një sferë fokusi të projekteve të mëdha ndërkombëtare zhvillimore, siç është industria e ndërtimit, e turizmit, por edhe e sferave tjera. Projektet humanitare kryesisht janë të fokusuara në sigurimin e kushteve bazike për jetën e qytetarëve vendorë, siç është ushqimi më cilësor, uji i pijshëm, energjia dhe barnat, sidomos për sëmundjet e rënda siç është HIV dhe Malarja.
SHQIPTARËT NË KENIA
Kur e kemi marrë vendimin që të vijmë për të jetuar dhe punuar përkohësisht (disa vite) në Kenia, kam menduar se do të jemi e vetmja familje shqiptare këtu. Por, ka ndodhur tërësisht e kundërta. Këtu gjeta shumë bashkëkombës të mi. Në dy vitet e fundit, në Kenia kanë jetuar 15 familje nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Bashkë, përbënin një komunitet prej afri 50 shqiptarë. Por, se këto statistika ndryshojnë nga dita në ditë, sepse vazhdimisht ka lëvizje, dikush vjen e dikush shkon, varësisht nga kontratat e punës. Shqiptarët në Kenia, kryesisht vijnë për të punuar, si të punësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Janë kuadro ekspertësh të profileve të ndryshme. Hyrja e tyre në Kenia, sidomos e shtetasve të Kosovës, kalon nëpër barriera, marrë parasysh se Kenia nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet të pavarur.
KENIA PËRBALLË COVID DHE VAKSINIMI NDAJ COVID
Sikurse të gjitha shtetet e botës, edhe Kenia është ballafaquar me pandeminë e virusit Covid-19. Sado që vendet afrikane janë të varfra, ato e kanë përballuar më mirë pandeminë, sesa që ishte parashikuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo, sigurisht ka ndodhur për faktin se vendet afrikane kanë përvojë më të madhe në menaxhimin e pandemive, për shkak të sëmundjeve të ndryshme me të cilat janë përballur kohë pas kohe, siç ishte “Ebola” për shembull. Pastaj, edhe për faktin se Afrika, përfshirë edhe Kenian, kanë një popullatë relativisht shumë të re, si dhe kushteve klimatike, ku mbretëron moti i ngrohtë dhe me diell pothuajse gjatë gjithë vitit. Që nga 15 marsi i vitit të kaluar, kur është lajmëruar rasti i parë i infektimit me Covid këtu, e deri sot, bazuar në statistikat zyrtare Kenia ka bërë afro 2 milionë e 65 mijë teste mbi rastet e mundshme të infektimeve. Çdo ditë, Kenia lajmëron nga 700-800 raste të reja të infektimeve me covid. Aktualisht ka afro 193 mijë raste aktive, dhe mbi 183 mijë raste të personave të shëruar nga kjo sëmundje.
Ndërsa, ka pasur gati 4 mijë persona që kanë vdekur, si pasojë e covid-19. Kenia, ishte ndër shtetet e para afrikane që ndërmori masa kundër kësaj sëmundje. Disa, nga këto masa janë ende në fuqi, siç është bartja e maskës në hapësirat publike dhe lokale. Nuk është hequr asnjëherë masa restriktive për lëvizje gjatë natës. Ajo është zbutur, ose është zgjatur herë pas here. Aktualisht, ndalohet qarkullimi i qytetarëve në hapësirat publike, prej orës 10 të natës, deri në ora 4 të mëngjesit. Pandemia ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e qytetarëve kenian, të cilët jo rrallë herë i kanë bërë thirrje qeverisë që të zbusë masat anticovid, për shkak se ata rrezikonin të vdesin urie. Ndërsa, që edhe vaksinimi ka ecur shumë ngadalë, për shkak të mungesës së vaksinave. Deri tani, Kenia ka arritur të vaksinojë vetëm afro 1 milionë e 636 mijë qytetarë, përballë popullatës mbi 50 milionëshe që ka.
NJË MESAZH PËR GAZETËN DIELLI, VATRËN DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS
I jam mirënjohëse pa fund, gazetës Dielli dhe formacionit Vatra me shqiptarët e Amerikës, që më kanë zgjedhur si të intervistuarën e tyre duke më ofruar kështu mundësinë për të thënë fjalën time rreth përvojës dhe jetës jashtë atdheut. Vlerësoj shumë punën dhe angazhimin tuaj për të promovuar vlerat shqiptare kudo në botë. Uroj të jeni gjithmonë aktiv në afrimin e mendjes dhe vlerave shqiptare, pavarësisht se ku jetojnë dhe veprojnë ata. Kontributi juaj është i domosdoshëm dhe i çmueshëm.
KUSH ËSHTË GAZETARJA SALIE GAJTANI-OSMANKAQ
Salie Gajtani-Osmankaq, është nga Prishtina, ku ka kryer edhe gjithë shkollimin e saj, që nga ai fillor e deri në studimet e larta universitare. Ajo është magjistre e shkencave pedagogjike. Ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka përfunduar Institutin e Prishtinës për Studime Politike. Ka përfunduar studimet për Pedagogji, në nivelin Bachelor dhe Master. Ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në dy shkolla të Prishtinës, kur njëkohësisht ka filluar edhe karrierën si gazetare. Prej afro 20 vitesh, ka punuar si gazetare në kompaninë mediale “KOHA Group”. Në ndërkohë, ka qenë e angazhuar edhe si bashkëpunëtore në projekte me organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, si ato të BE-së dhe OSBE-së. Ka ndjekur seminare dhe konferenca të ndryshme studimore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, si paneliste, pjesëmarrëse, prezantuese dhe analiste për tema të ndryshme që lidhen me zhvillimet në Kosovë.
Ka ligjëruar mbi tematika të ndryshme, si të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, edukimin medial, etj për organizata të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Është fituese e katër çmimeve prestigjioze që ndahen për fushën e gazetarisë. Ka marrë Çmimin për storien më të mirë kundër korrupsionit për vitin 2008 nga UNDP-ja. Çmimin “femra më e suksesshme në media” për vitin 2008, me karakter ndër rajonal. Çmimin e GIZ-it gjerman për arsim, për vitin 2015. Një çmimin tjetër për arsimin e ka marrë, po nga GIZ-i gjerman edhe në vitin 2017. Prezanton me dy punime, punë shkencore, në librin akademik “Pedagogjizimi kjo polifoni edukative”. Është bashkë-autore në librin për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës “Unë jam ANEMONE”. Është recenzente e librave shkollor. Aktualisht jeton në Nairobi të Kenias, bashkë me familjen: bashkëshortin dhe tri vajzat./Dielli