Gazeta britanike Daily Mail, shkruan në një artikull të saj se Shqipëria pritet të ndërtojë një burg për të pritur kriminelët e huaj.
Sipas Daily Mail, propozimi është mirëpritur nga Ministria e Drejtësisë në Shqipëri.
Ky lajm vjen në kohën kur Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për të rimarrë me shpejtësi të dënuarit shqiptarë nga Britania e Madhe.
Gazeta thekson se Shqipëria deklaroi se do i marrë përsipër shpenzimet për të burgosurit e transferuar nga Britania e Madhe.
Por bisedimet mes Etilda Gjonajt dhe ministrit të Drejtësisë në Britani, Chris Philp morën tjetër kthesë kur Shqipëria kërkoi financim për ndërtimin ose rinovimin e një burgu në Shqipëri.
Mësohet se zyrtarët shqiptarë janë shqetësuar nga natyra e kësaj marrëveshje dhe kanë kërkuar ndihmë financiare.
Një burim i qeverisë britanike tha se planet janë në fazat e para të zhvillimit. Shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të kriminelëve të huaj të dënuar në burgjet britanike.
Grupet kriminale shqiptare njihen për rolin e tyre në trafikun e drogës, por edhe në trafikun e qenieve njerëzore.