Banka e Shqipërisë kontrollon linjat e mikrokredive: Në rritje, ankesat për mashtrim

3 Minuta Lexim

Vitin e kaluar, por edhe në vijim, Banka e Shqipërisë i ka përqendruar kontrollet dhe inspektimet në subjektet financiare jo-banka (IFJB), për shkak se ka pasur edhe një rritje të ankesave për mashtrim nga këto aktivitete.

Në një raport të posaçëm të Departamentit të Mbikëqyrjes, autoriteti qendror bankar referoi se, vëmendja në vitin 2020 u përqendrua tek ato subjekte që zhvillojnë veprimtarinë kredituese, qiranë financiare dhe mikrokredinë.

Një pjesë e mirë e ekzaminimeve kanë synuar të adresojnë shqetësimet mbikëqyrëse të lidhura me sinjalizime për ngjarje mashtrimi, mosrealizim të rekomandimeve mbikëqyrëse apo sinjalizime për deformime të tregut.

Banka sqaroi se një pjesë e rëndësishme e këtyre ekzaminimeve dhe çështje mjaft e prekshme në rastin e subjekteve jo-banka është edhe vlerësimi i nivelit të transparencës me klientët. Ekzaminimet kanë identifikuar disa probleme në këtë drejtim, të cilat janë adresuar përmes rekomandimeve për subjektet.

“Bazuar në konkluzionet e ekzaminimeve në dy raste janë iniciuar masa mbikëqyrëse për pezullimin e veprimtarisë apo revokimin e licencës së subjekteve jo-banka” thuhet në raportin e BSH-së.

Të gjitha ekzaminimet e kryera në vitin 2020 kanë pasur në objektivin e tyre rrezikun e kredisë, në disa raste të kombinuar edhe me objektiva të tjera. Ky orientim vjen në linjë edhe me qasjen e autoriteteve mbikëqyrëse europiane, diktuar nga situata e pandemisë dhe lehtësimet rregullative përkatëse që u kryen në vitin 2020 (rritja e pagesave të kësteve të kredive, nxitja e ristrukturimeve etj.)

Synimi ka qenë që të identifikohen përkeqësime potenciale në portofolat e kredive dhe të merren masa të menjëhershme për krijimin paraprak të rezervave të nevojshme. Aktualisht, në vendin tonë, operojnë 23 aktivitete financiare jo-banka, një pjesë e të cilave janë linja mikrokredie.

Tregu u zgjerua shpejt tre vitet e fundit për shkak të hyrjeve të reja. Banka la si rekomandime ndaj tyre rishikimin e kujdesshëm të planeve të bizneseve për vitet e ardhshme, pa neglizhuar nevojën për mbështetjen me kredi të ekonomisë.

Në vitin 2020, IFJB-të kanë gjeneruar një rezultat pozitiv prej 2.33 mld lekësh. Krahasuar me vitin paraardhës, vërehet tkurrje prej 1.13 mld lekësh, e cila, në pjesën më të madhe, shpjegohet me mungesën e shpërndarjes së dividendit nga bankat, të cilat kanë aksionerë institucione financiare jo-banka./MONITOR

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull