11 gra e akuzuan për ngacmim seksual, çfarë po ndodh me guvernatorin e Nju Jorkut

6 Minuta Lexim

Vazhdimi i rënies së shkëlqimit të guvenatorit të Nju Jorkut Andrew Cuomo arriti kulmin të martën kur hetuesit thanë se kishin vërtetuar akuzat kundër tij për ngacmime seksuale nga 11 gra, shumë prej cilave kanë punuar për të.

Dikur i përditshëm në ekranet televizive mbi reagimet kundër koronavirusit, Cuomo vazhdon t’i mohojë akuzat dhe pohon se nuk do të largohet, ndërkohë që shumë shpejt e ardhmja e tij politike mund të jetë jashtë kontrollit të tij.

PËR ÇFARË AKUZOHET CUOMO?

Shumë gra e akuzuan guvernatorin Cuomo për ngacmime dhe sulme seksuale. Akuzat publike, të cilat filluan në dhjetor dhe vazhduan gjatë dimrit, përfshinin, që nga komentet e papërshtatshme, e deri tek puthjet me forcë dhe prekjet e pjesëve intime.

A U GJET FAJTOR CUOMO NGA HETIMI I PROKURORIT?

Jo. Një hetim nuk mund të gjejë askënd fajtor. Për këtë vendos gjykatësi dhe juria. Po ashtu, hetimi ishte civil, jo penal. Por, hetuesit zbuluan se 11 gratë po thoshin të vërtetën për sjelljen e guvernatorit Cuomo dhe se ai krijoi një mjedis armiqësor në punë “të mbushur me frikë dhe kanosje”.

A DO TË NGRIHEN AKUZA NDAJ GUVERNATORIT CUOMO?

Prokurorja e Përgjithshme e shtetit Letitia James, e cila mbikëqyri hetimin, tha se nuk do të kishte asnjë referim penal, por policia dhe prokurorët vendas mund të përdorin provat dhe gjetjet për të ngritur çështjet e tyre. Prokurori i qarkut në kryeqytetin Albany të Nju Jorkut tha të martën se ai po kërkonte materiale hetimore nga zonja James ndërsa u bëri thirrje viktimave që të ngrenë zërin.

CUOMO THA PUBLIKISHT QË TË MOS E GJYKONIN DERISA TË DILNIN PËRFUNDIMET E HETIMEVE. CILI ËSHTË QËNDRIMI I TIJ TANI?

Guvernatori Cuomo është më sfidues se kurrë, duke kundërshtuar akuzat përmes një përgjigje të regjistruar ku thotë se “faktet janë shumë më të ndryshme nga ato që janë portretizuar” dhe se “ai kurrë nuk ka prekur askënd në mënyrë të papërshtatshme ose nuk ka bërë veprime të papërshtatshme seksuale”. Ai pretendon se hetimi në vetvete ishte nxitur nga “politika dhe paragjykimet”.

SI I SHPJEGON AI VEPRIMET E TIJ?

Guvernatori Cuomo kërkoi falje që i kishte bërë punonjësit të ndiheshin keq, por disa nga akuzat i shpjegon duke thënë se janë keqkuptime të shkaktuara nga dallimet kulturore dhe të brezave (ai është italiano-amerikan). Ai i mohon prerazi akuzat më serioze. Ai tha se sjellja, e tij e trashëguar nga prindërit, kishte për qëllim përcjelljen e ngrohtësisë.

KËRKESAT PËR DORËHEQJEN E GUVERNATORIT CUOMO

Shumë njerëz po kërkojnë dorëheqjen e tij. Presidenti Joe Biden – dikur aleat i ngushtë i demokratit Cuomo – tha të martën se, ndërsa ai nuk e kishte lexuar raportin, ai mendon se Cuomo duhet të japë dorëheqjen. Të dy senatorët që përfaqësojnë Nju Jorkun, Chuck Schumer dhe Kirsten Gillibrand, thonë se ai duhet të japë dorëheqjen. Të njëjtën thirrje po bëjnë edhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, guvernatorët e Nju Xhersit, Pensilvanisë dhe Konektikatit si dhe shumë demokratë të tjerë.

ÇFARË NDODH NËSE CUOMO NUK DORËHIQET?

Asambleja e Nju Jorkut ka pushtetin për të ngritur akuza për shkarkimin e guvernatorit Cuomo dhe synon të përfundojë hetimin e tij “sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas kryetarit Carl Heastie, një demokrat, i cili tha se ishte e qartë se Cuomo nuk mund të qëndronte më në detyrë. Teorikisht, asambleja mund të votojë për fillimin e procedurave të shkarkimit para se të përfundojë hetimi.

PSE NJUJORKEZËT NUK MUND TË KËRKOJNË ZGJEDHJE TË PARAKOHËSHME ?

Ndryshe nga Kalifornia, Nju Jorku nuk ka asnjë mekanizëm për të thirrur zgjedhje të parakohëshme.

MEKANIZMI I PROCESIT TË SHKARKIMIT NË NJU JORK

Proseci i shkarkimit fillon në asamblenë e Nju Jorkut. Nëse shumica e anëtarëve votojnë për të ngritur akuza kundër zotit Cuomo, çështja kalon në gjykatë, e cila në këtë rast përbëhet nga Senati i Nje Jorkut – pa udhëheqësin e shumicës – dhe shtatë gjyqtarët e gjykatës më të lartë të shtetit. Dy të tretat duhet të votojnë për ta shpallur atë fajtor dhe larguar nga posti.

KUR KA NDODHUR NJË SITUATË E TILLË NË NJU JORK?

I vetmi rast ka qënë në vitin 1913. Guvernatori William Sulzer u rrëzua nga pushteti pas më pak se një viti në detyrë. Ai pretendoi se fajësimi i tij ishte ndëshkim për largimin e tij nga makineria poltike demokrate Tammany Hall.

NËSE CUOMO LË POSTIN, KUSH E ZËVENDËSON?

Në krye do të ngjitej 62 vjeçarja Kathy Hochul, numri dy i zyrës së guvernatorit. Demokratja nga pjesa perëndimore e Nju Jorkut ka shërbyer më parë në Kongres, por nuk njihet shumë në atë shtet.

ME ÇFARË PROBLEMESH TË TJERA PËRBALLET CUOMO?

Kryeprokurorja James gjithashtu po heton nëse Cuomo shkeli ligjin duke bërë që anëtarët e stafit të tij të ndihmonin në shkrimin dhe promovimin e librit të tij, “Kriza Amerikane: Mësime të Lidershipit nga Pandemia COVID-19″ (American Crisis: Leadership Lessons from the COVID-19 Pandemic) për të cilën ai do të fitonte më shumë se 5 milionë dollarë . Byroja Federale e Hetimeve (FBI) gjithashtu po heton se si i trajtoi Nju Jorku të dhënat në lidhje me vdekjet në shtëpitë e të moshuarve gjatë pandemisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull