Nga Sophie HUET –
Pandemia e Covid-19, e ka sulmuar në mënyrë tinëzare botën e gazetarisë. Që nga fillimi i vitit 2020 ka pasur një sërë ngjarjesh të anuluara, qasjesh të ndaluara ose të kufizuara, konferencash virtuale për shtyp, dhe punës online që kanë hyrë në jetën e përditshme të redaksive.
Masat paraprake mbrojtëse të shëndetit, edhe pse janë të kuptueshme, e kanë dëmtuar ushtrimin e profesionit tonë. A është e mundur që në disa raste ato të kenë qenë të tepruara, dhe të jenë përdorur si një pretekst për t’i mbajtur mediat larg aktivitetit politik? Dyshimi është i ligjshëm.
Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj, u ngrit një shqetësim: A do të jemi në gjendje të rifitojnë qasjen e plotë në ngjarjet për të cilat kemi raportuar përpara pandemisë? Apo liria dhe pluralizmi i informacionit do të bien viktimë e Covid-19?
Gjatë vitit të fundit, janë shumëfishuar aktivitetet e mbyllura për mediat. Tani organizatorët u shpërndajnë reporterëve vetëm disa njoftime për shtyp dhe disa foto. Pa pyetje, pa kontakte të drejtpërdrejta, por me një formë shumë të filtruar të komunikimit,që lë një shije të keqe përshkak të mungesën e transparencës.
Në Gjermani “disa aktivitete politike janë shndërruar në shfaqje, me shpërndarjen e filmimeve të pafundme, pa asnjë pyetje nga publiku ose media”, nënvizon drejtoresha eredaksisë së Berlinit për agjencinë franceze të lajmeve AFP, Yacine Le Forestier.
Një shembull tjetër: kur disa ministra francezë vizituan Algjerinë në fund të vitit 2020, AFP nuk kishte qasje në atë ngjarje. U përdor si justifikim pandemia, dhe nga i gjithë aktiviteti pati vetëm një deklaratë zyrtare pa foto apo filmime.
Nga kjo dukuri nuk është kursyer as sporti, që po i rikthehet dalëngadalë normalitetit pas muajsh bllokimi. “Ekipet tona të xhirimit nuk kanë më qasje në gati të gjitha ngjarjet kryesore sportive:Lojërat Olimpike, Kampionatet Evropiane të Futbollit, Champions League, Nations League”- thotë Guillaume Rollin, kryeredaktor i sektorit të video-sporteve.
E përhapur në këtë sektor që para Covid-19, praktika e “pishinës”, lejon mbulimin e lajmeve nga një numër i vogël gazetarësh të besuar, të cilët ua shpërndajnë më pas materialet redaksive të tjera.
Ky është një sistem i vendosur prej disa kohësh në Shtëpinë e Bardhë, për të ndjekur aktivitetet e presidentit amerikan. Dhe pasoja është se të gjitha gazetat raportojnë një produkt identik, të prodhuar nga një gazetar i vetëm, dhe për këtë arsye të privuara nga larmia e këndvështrimeve të ndryshme.
“Tani me pandeminë, përdorimi i “pishinave” është bërë një normë”-thotë Stephane Arnaud, kryeredaktor i seksionit të fotografisë. “Tani është bërë shumë më problematike të intervistosh njerëz që flasin në publik, dhe shpesh në dispozicion është vetëm një kamera e autorizuar”-nënvizon me keqardhje Mehdi Lebouachera, kryeredaktori i seksionit të videove në AFP.
“Në rastin më të mirë, përmbajtja është uniforme në të gjitha mediat. Në rastin më të keq, përparësi u jepet disa mediave të përzgjedhura”- shton ai. Në Shtetet e Bashkuara, kufizimet për shkak të pandemisë, patën si pasojë kryesore kufizimin e intervistave me Joe Biden gjatë fushatës zgjedhore.
Në Bruksel, kjo praktikë dominon aktivitetet e Këshillit dhe Komisionit Evropian. “Ne nuk kemi më mundësinë që ta fotografojmë Ursula von der Leyen jashtë daljeve të saj të rralla në konferencë për mediat. Njëkohësisht, kanalet zyrtare dhe rrjetet sociale të drejtuesve të BE-së, postojnë përmbajtje që lidhen me ngjarje në të cilat ne nuk kemi qasje, siç është për shembull momenti ku presidentja e Komisionit merr vaksinën e saj anti–Covid”-thotë fotografi Kenzo Tribouillard.
“Shumë shpesh nuk kemi zgjidhje tjetër, përveçse të ripërdorim materialin e shpërndarë nga vetë institucionet, pasi është e pamundur që t’u afrohemi drejtuesve të BE-së”-shton kolegu i tij Kilian Fichou.
Para pandemisë, gjatë samiteve evropiane, dhjetëra gazetarë mund t’u bënin pyetje krerëve të shteteve, të cilët tani “i mbajnë fjalimet e tyre para kamerës sapo mbërrijnë në takim. Është e vështirë të bësh një dallim midis pajtueshmërisë me masat shëndetësore dhe dëshirës për të kufizuar qasjen e medias.
Gjithsesi sipas Fichou “ekziston ndjenja se shumë dyer janë mbyllur, dhe se ato nuk ka gjasa që të rihapen për ne”. “Është për të ardhur keq që praktika e “pishinës”është tani sistematike edhe në kontekste më parë të hapura. Edhe pse është e vështirë të kontestosh arsyet shëndetësore”-thotë kryeredaktorja e AFP për Francën Annie Thomas.
Praktika e “pishinës”, ka ekzistuar prej kohësh në Elize, por kohët e fundit ajo është bërë gjithnjë e më popullore gjatë vizitave ministrore, edhe kur ngjarjet ndodhin jashtë vendit.
Nëse në këto raste qëllon të jesh në gjendje të marrësh intervista me mikrofon, gazetarët e shohin veten të masakruar nga turmat.
Edhe në sektorin e kulturës, gjërat nuk janë më mirë. Asnjë fotograf apo reporter i AFP-së nuk u pranua në ceremoninë e fundit të shpërndarjes së çmimeve Oskar në Los Anxheles, aktivitet që u mbulua vetëm nga një grupim i vogël gazetarësh të përzgjedhur.
Sipas disa gazetarëve, “Covid-19 u ka dhënë autoriteteve justifikimin e përsosur” për të kontrolluar prodhimin e imazheve, duke nxjerrë “përfitime tregtare”. Shtimi i burimeve është një nga detyrat thelbësore të gazetarëve për të siguruar informacion sa më të plotë që të jetë e mundur.
Por për të marrë në intervistë burime të reja me synim përditësimin e informacionit, janë tëdomosdoshme takimet zyrtare, por edhe komunikimet joformale. Por kjo gjë është bërë mjaft e vështirë në epokën e distancimit fizik dhe video–konferencave.
Mungesa e hapësirës për të bërë gazetari të vërtetë, dhe e komunikimit të pa filtruar në rrjetet sociale, krijon një rrugë që çon tek dezinformimi. Një sondazhi madh i kryer nga Qendra Ndërkombëtare për gazetarët (ICFJ) në fillim të pandemisë, më shumë se 80 për qind e njerëzve të intervistuar thanë se kishin ndeshur të paktën një herë në javë një formë dezinformimi, ndërsa 46 për qind e tyre i vuri në diskutim disa politikanë si burim tëdezinformimit.
Po si do të jetë informacioni pas Covid-19?
Qasja e kufizuar tek informacioni, liria dhe pluralizmi po kërcënohen. Këto po e minojnë gazetarinë në planin afatgjatë. Pas tragjedisë së Covid-19, do të nisë beteja për të rifituar terrenin e humbur në lidhje me lirinë e informimit.
Kjo betejë prek të gjithë gazetarët, por gjithashtu edhe qeveritë, autoritetet dhe të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë një nga shtyllat e demokracisë. Është e vështirë të besohet se të gjithë do të dalim të padëmtuar nga kjo traumë globale. Por besojmë me optimizëm se gazetarët, ashtu si barërat e këqija, do të përpiqen të zënë çdo hapësirë lirie./“Internazionale”