DY SHTETET SHQIPTARE DHE POLITIKA AMERIKANE

4 Minuta Lexim
Në situatën aktuale që po përjetojnë dy shtetet shqiptare janë një serë pyetjesh që ngre logjika e një realpolitike moderne, për të dy shtetet shqiptare, Shqipëri e Kosovë, dhe për politikën amerikane gjithashtu. Pse u bë lufta e vitit 1999, pse u bombardua Beogradi…?
Nga Spartak NGJELA –
Për Kosovën, ka vetëm një zgjidhje: Amerika duhet t’i vendosë embargo të rreptë ekonomike Serbisë, brenda kushtit të njohjes së Kosovës.
Kjo, sepse entiteti juridik i pavarur si shtet i Kosovës, është rrjedhojë direkte e politikës amerikane.
Pse, një shtet primitiv si Serbia e në aleancë me Moskën, do ta mundë politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor?
Kjo është pamundësi absolute.
Atëherë… pikërisht për këtë, këto janë pyetjet që ngre logjika e një realpolitike moderne sot, për të dy shtetet shqiptare, Shqipëri e Kosovë, dhe për politikën amerikane gjithashtu:
Pse u bë lufta e vitit 1999; pse u bombardua Beogradi; pse u shpall pavarësia e Kosovës; që të fitojë Serbia me banditizmin e saj në Ballkanin Perëndimor?
E di politika amerikane që Serbia është një shtet agresiv dhe i ndërtuar posaçërisht, që nga viti 1880, kundër botës shqiptare, kundër territorit shqiptar dhe kundër konceptit real të shtetit modern?
E di politika amerikane që presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, është një ish ministër aktiv i Milosheviçit, një fshehës pasionant i historisë së vërtetë, dhe një i dehur patologjik e me agresivitetin e tipit nazist të politikës, dhe, i gjithi në traditën agresive të komunitetit serb?
E di politika amerikane se presidenti i Serbisë, Vuçiç, është një pjellë e histerisë serbe që po punon për një luftë të re në Ballkanin Perëndimor?
E di politika amerikane që, antiamerikanizmi patologjik i Serbisë, nuk vjen nga humbja e luftës së Kosovës, por rrjedh direkt nga historia brutale e serbëve, si hordhi, të ushqyera nga agresiviteti historik i Rusisë aziatike kundër Perëndimit?
E di politika amerikane që stalinizmi ishte një tirani aziatike që shfarosi oksidentalizmin e iluminuar në Rusi, nën petkun e barazisë marksiste?
E di politika amerikane që, luftën me Rusinë në Ballkanin Perëndimor, Shtetet e Bashkuara e fitojnë vetëm me forcimin e shpejtë të dy shteteve shqiptarë aty?
E di politika amerikane që, Ballkani Perëndimor i shqiptarëve të bashkuar, është domosdoshmëri për ecurinë historike të Shteteve të Bashkuara në këtë zonë?
E di politika amerikane që, me një logjikë relative, Izraeli, Shqipëria dhe Kosova janë sot aleatët me të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë?
Po, politika amerikane i di të gjitha këto. Por, pikërisht për këtë arsyetim global, Amerika duhet t’i vendosë Serbisë embargo klasike, derisa ajo të tërhiqet nga qëllimi i saj me agresivitet të sëmurë kundër Kosovës. Por, duhet theksuar ndërkaq se, oreksi patologjik i Serbisë, në synimet e saja ballkanike, e kalon Kosovën, sepse ai është një oreks agresiv tipik millosheviçian që kërkon revanshin e një ish pushtuesi të mundur.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull