Pas ultimatumit të kompanisë konçesionare/ Bashkia e Durrësit, tender “fasadë” për depozitimin e mbetjeve në Sharrë

3 Minuta Lexim

Bashkia e Durrësit i hapi ‘de jure’ rrugën negociatave dhe lidhjes së kontratës me koncesionarin e Sharrës, pasi u përcaktuan më parë kostot që do të paguajnë taksapaguesit shqiptarë për transportin dhe tarifën e trajtimit të mbetjeve urbane të Durrësit…

Nga Aleksandra BOGDANI –

Bashkia e Durrësit shpalli të hënën një tender ‘fasadë’ për depozitimin e mbetjeve të saj urbane, vetëm pak ditë pas finalizimit të projektit të mbështetur nga qeveria për dërgimin e mbetjeve drejt kompanisë koncesionare që menaxhon landfillin e Sharrës në Tiranë, të paktën për një periudhë 10-vjeçare.

Procedura prokuruese e publikuar në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik ka si fond limit vlerën 287.2 milionë lekë [rreth 2.3 milionë euro] dhe është ‘me negocim, pa njoftim” –një procedurë e mbyllur përmes së cilës autoriteti kontraktor e zgjedh vetë operatorin ekonomik  dhe negocion me të kushtet e kontratës.

Ajo i hap rrugën lidhjes ‘de jure’ të një kontrate mes Bashkisë së Durrësit dhe kompanisë koncesionare ‘Integrated Energy B.V SPV”, e cila parashikohet t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë edhe 35 milionë euro të tjera shtesë për dhjetë vitet e ardhshme.

Që prej mbylljes në dhjetor 2019 të venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano, bashkia e Durrësit i ka depozituar mbetjet e ngurta pa kosto shtesë në landfillin e Sharrës në Tiranë, falë një marrëveshje të negociuar nga qeveria.

Por në qershor, kompania koncesionare që menaxhon landfillin e Sharrës i dha ultimatum Bashkisë Durrës se pas datës 15 korrik, nuk do t’i pranonte më falas mbetjet e ngurta të qytetit.

Një studim i realizuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM, përcaktoi si zgjidhje depozitimin e mbetjeve të Durrësit në landfillin e Sharrës, në këmbim të një tarife porte prej 40.57 euro si dhe ndërtimit të një stacioni transferimi me vlerë 5.5 milionë euro.

Megjithatë, është e paqartë se si u përcaktua tarifa e depozitimit të mbetjeve të Durrësit në Sharrë, pa një studim fizibiliteti mbi kostot dhe përfitimet e kompanisë koncesionare që menaxhon landfillin.

Bashkia e Durrësit i kërkoi subvencion qeverisë për të mbuluar tarifën e depozitimit dhe transportin e mbetjeve drejt landfillit të Sharrës dhe përmes një vendimi të marrë më 31 korrik, qeveria  e miratoi këtë kërkesë.

Një vendim i Këshillit Bashkiak të Durrësit i datës 4 gusht zbardh pagesat e plota nga buxheti i shtetit dhe buxheti i bashkisë në favor të koncesionarit të Sharrës për periudhën 2021-2030.

Sipas dokumentit, transporti dhe depozitimi i mbetjeve të Durrësit në landfillin e Sharrës do të kushtojë 4.3 miliardë lekë ose rreth 35 milionë euro në 10 vitet e ardhshme. Bashkia e Durrësit do të paguajë rreth 10% të kostos totale ose 465 milionë lekë në të njëjtën periudhë. / Reporter.al- Titulli vjen i redaktuar nga Arberianews/

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull