Nga Shpëtim DODA-
Në shqip ka dy shprehje të njohura: “budallës hapi rrugën” dhe “budallën mbaje lidhur; edhe pse s’ka brirë, vret njerëz”. Dy shprehje kundërthënëse, ndonëse për të njëjtën qenie: budallën. E para thotë se budallën duhet ta anashkalojmë, ta lemë në budallallëkun e tij; e dyta thotë të kundërtën: budallën duhet ta mbajmë lidhur, pasi, po e anashkaluam, po e lamë të vijojë në budallallëkun e tij, mund të na bëjë gjëmën.
Kjo kundërthënie rreth qëndrimit ndaj budallës më ka ngacmuar vazhdimisht; jo për arsye intelektuale (interpretimi i saj si shenjë e një dyzimi psikokulturor), por për arsye ekzistenciale, përpara të cilës Pse-ja e Spasses shfaqet folklorizëm pseudoekzistencialist i rëndomtë. Shkurt: si duhet vepruar me budallën, ta mbajmë lidhur, apo t’i hapim rrugën, duke pranuar gjëmën që mund të bëjë?
Jeta na vendos vazhdimisht përpara kësaj dileme. Më e fundit në radhë është rasti i postimit të Avnija Hafuzit, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Hungari, dhe nga Ambasada Shqiptare Hungari, lidhur me vendosjen përmendores së Skënderbeut dhe Nënë Terezës në Budapest.
Ajo çfarë të trazon më shumë tek postimi i Hafuzit, nuk është gjelucja e tij folkloristike – natyrisht, nuk pres që të gjithë konsujt e nderit të Republikës së Shqipërisë të jenë si Vito Cassone, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Luksemburg, i cili, edhe pse bën shumë për mbështetjen dhe promovimin e interesave shqiptare, dhe përpiqet gjithçmos t’u vijë në ndihmë qytetarëve shqiptarë, shpesh edhe përtej asaj që pritet nga një konsull nderi (në disa raste kam qenë dëshmitar), duke zgjidhur jo pak probleme që krijon mungesa e një përfaqësie diplomatike shqiptare në këtë shtet, sërish nuk kapistallet si gjeli në majë plehut;
Nuk është as trajta serbe e emrit “Avni”, çka jo vetëm bie ndesh, por dhe e qesharakëzon patriotizmin folklorik patetikisht të shprehur të Avnija Hafuzit;
Nuk është as problemi moral që lëviz pas meritizimit të vetes duke demeritizuar tjetrin përmes përvetësimit të punës dhe kontributit të këtij – punën dhe kontributin e znj. Mira Hoxha, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë gjatë viteve kur u vendosën në Budapest përmendoret në fjalë – punë dhe kontribut për të cilët znj. Hoxha nuk krekoset poshtë e lart, anipse janë të skalitur në përmendoret në fjalë: përkundrazi, “kam bërë thjesht detyrën, si përfaqësuese e shtetit shqiptar”, thotë.
Ajo çfarë të trazon më shumë tek postimi i Hafuzit, është më serioze, më e frikshme, më e tmerrshme.
Të gjithë e dinë se vendosja e një përmendoreje në këtë apo atë hapësirë publike është një çështje komplekse, në të cilën gërshetohen një mori faktorësh (urbanistikë, arkitekturorë, socialë, kulturorë, politikë etj.), duke i kapërcyer kufijtë e individuales. Në rastin kur objekti i përmendores është një figurë jo vendase, krahas këtyre faktorëve, vendosja e saj në një hapësirë publike ndërlik edhe bashkëpunimin me institucionet e shtetit të cilit i përket vetë figura objekt i përmendores. Pavarësisht katolicizmit që i bashkon dy figurat në fjalë (i pari Athleta Christi, e dyta shenjtore); pavarësisht lidhjes që figura e Skëndërbeut ka me një pjesë të historisë së Hungarisë, sërish përfshirja e shtetit shqiptar në këto projekte, përveçse e domosdoshme, ka qenë edhe e pashmangshme; a do të ishin vendosur përmendoret, në rast se marrëdhëniet mes dy vendeve do të ishin të këqija? Merita e shtetit shqiptar në realizimin e këtyre dy projekteve qëndron tek strategjia që ndoqi, si dhe tek puna për të përfshirë në këto projekte jo Hafuzin, por një aktor dhe faktor me peshë si Kisha Katolike (65% e hungarezëve janë katolikë), angazhimi i të cilës ka patur rëndësinë dhe meritën e vet të padiskutueshme.
Me postimin e tij lidhur me vendosjen e përmendoreve të Skënderbeut dhe Nënë Terezës në Budapest, Hafuzi i fshiu me disa rrahje tastiere qoftë faktorët, qoftë aktorët që çuan në realizimin e tyre, duke e pasuruar përvojën tonë, pasi pas leximit të këtij postimi, mund të themi me gojën plot se budalla, edhe pse nuk ka brirë, vret jo vetëm njerëzit, por edhe shtetin, ndërkohë që, pasi lexon çertifikimin që Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Budapest i bën përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në facebook postimit të Hafuzit, mund të themi se ne nuk kemi kurrfarë nevoje për përfaqësi displomatike në këtë apo në atë shtet, pasi punët mund t’i kryejmë fare mirë edhe përmes konsujve të nderit, përfshirë edhe integrimin në BE.
Ndërkohë, dilema vijon të mbetet: si duhet vepruar me budallën, ta mbajmë lidhur, apo t’i hapim rrugën, duke marrë në sy gjëmën që mund të na bëjë? Përgjigjen për rastin në fjalë i takon të na e japë Qeveria Shqiptare. Nga përgjigjja e saj do të mësojmë nëse shteti shqiptar ka kapitulluar, dhe tanimë fillon e mbaron me Avnija Hafuzin.