Opera “Lucia di Lammermoor” u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në nëntor të vitit 2008 . TKOB shkruan se në bashkëpunim me “Teatro del Maggio Fiorentino” të Firences sollën për herë të parë në skenë shqiptare operën “Lucia di Lammermoor” të kompozitorit Gaetano Donizetti. “Premiera e kësaj opere u shfaq më 1 nëntor 2008. “Lucia di Lammeroor”, e konsideruar si një kryevepër e melodramës, iu shtua fondit të artë të operave më të famshme botërore që janë luajtur në skenën shqiptare dhe u shfaq me rastin e 55 vjetorit të vënies për herë në skenën shqiptare të një opere, operës “Rusallka””, thuhet në materialin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit për këtë vepër.
Libreti u shkrua nga Salvadore Cammarano; regjisor Nicola Zorzi; skenografia nga Alfredo Troisi dhe kostumet nga “Teatro del Maggio Fiorentino”, Itali. Mjeshtre kori Suzana Turku; mjeshtër koncertues dhe dirigjent Gianluca Martinenghi; as/ dirigjent Andrea Albertin; as/dirigjent kori Dritan Lumshi; as/regjisor: Adelina Muça. Enrico- Ylber Gjini, Marco Camastra; Lucia- Orjana Kurteshi, Marjana Leka, Francesca Micarelli; Edgardo- Gianluca Terranova, Cristiano Oliveri; Rajmondo- Armand Likaj; Alisa- Vikena Kamenica; Normanno- Erlind Zeraliu; Arturo- Rudi Sata. “Lucia di Lammermoor” është një dramë tragjike në tre akte nga Gaetano Donizetti. Vepra e Donizettit, e konsideruar si një kryevepër e melodramës, ku përfshihen të gjithë elementet tipike të romanticizmit u duartrokit nga publiku vite më parë, që kishte mbushur sallën në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ngjarja zhvillohet në Skoci në fund të shekullit XVI në kështjellën e Ravenswood.
Vepra tregon historinë e dy të rinjve që dashurohen, por që janë nga dy fise që urrehen. Një varr xhelozie paralajmëron gjëmën, por Lucia di Lammermoor nuk heq dorë nga dashuria për të riun Edgard.