Kultivonin lëndë narkotike në tokë bujqësore, në pranga 2 zyrtarë nga Berati

3 Minuta Lexim

Policia e Beratit në 24 orët e fundit ka zhvilluar disa aksione, të cilat janë shoqëruar edhe me arrestime.

Sipas njoftimit të policisë në Poliçan janë arrestuar shtetasit M. Selenica, kryeplaku i fshatit P.Qoraj, si dhe J. Lilaj Inspektori i pyjeve.

Selenica u kap në flagrancë pasi në një sipërfaqe toke bujqësore kishte mbjellë kanabis, ndërsa Qoraj dhe Lilaj u arrestuar për moskallëzim krimi.

Ndërkohë në Dimal është shpallur në kërkim Sh.Dhembo dhe proceduar penalisht kryeplaku i fshatit, J. Avduramani.

Njoftimi i policisë:

Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Evidentohen dhe goditen dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Bie në prangat e policisë autori i dyshuar i tentativës për kultivim në Poliçan si dhe shpallet në kërkim autori tjetër i dyshuar në Dimal.

Arrestohet Kryetari i fshatit Zhitom i Vogël dhe Inspektori i Pyjeve si dhe procedohet penalisht Kryetari i fshatit Bistrovicë, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallzim krimi”.

Shërbimet e Policisë së DVP Berat, në bazë të informacioneve të siguruara si dhe në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Zhitom i Vogël, Poliçan dhe në fshatin Bistrovicë, Dimal bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan, arrestuan në flagrancë shtetasin M.S., 60 vjeç, banues në fshatin Zhitom i Vogël, pasi në afërsi të tokës së tij u gjetën bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.

Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan arrestuan në flagrancë dhe shtetasit P.Q., 56 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Zhitom i Vogël dhe J.L., 52 vjeç, me detyrë Inspektor i Shërbimit Pyjor, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim Krimi.

Dimal/Nga Specialistët e Seksionit për Krimet në Stacionin e Policisë Dimal u shpall në kërkim shtetasi Sh.Dh., 46 vjeç, banues në fshatin Bistrovicë, Dimal, pasi në ullishten në pronësi të tij u gjetën bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi J.A., 70 vjeç, me detyrë Kryetar i fahatit Bistrovicë, pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull