Festivali i këngës qytetare “Luleborë”, edicioni i gjashtë në muajin tetor në Shkodër

4 Minuta Lexim

Festivali i këngës qytetare “Luleborë” bën bashkë në çdo edicion artistët. Pas pesë edicionesh më parë, Bashkia Shkodër ka shpallur ftesë të hapur për pjesëmarrje për kompozitorë të rinj dhe të afirmuar për festivalin e këngës qytetare “Luleborë”. Në materialin e publikuar në teatrin “Migjeni” në përshkrimin e projektit thuhet se prej pesë vitesh në Shkodër organizohet festivali i këngës qytetare “Luleborë”, një traditë e kthyer pas rreth 30 vitesh mungesë. Në kuadër të ruajtjes dhe zhvillimit të mëtejshëm të kësaj tradite thuhet në projekt, Bashkia Shkodër organizon edicionin e gjashtë të festivalit të këngës qytetare. “Festivali “Luleborë” ka si qëllim të risjellë tek publiku këngën qytetare, duke i dhënë një dimension të ri asaj, duke nxitur profesionalizmin dhe nivelin e lartë artistik, përmes interpretimit “LIVE” të çdo elementi të këtij festivali.

Për rrjedhojë, krijimtaria artistike, muzika dhe fjalët, duhet t’i përshtaten kritereve të përcaktuara nga drejtuesit e produksionit, që do të jenë edhe njësitë matëse për vlerësimin paraprak të këngëve”, bëhet me dije për festivalin muzikor. Të gjitha materialet muzikore do të shqyrtohen nga produksioni i këtij festivali (i drejtuar nga Markelian Kapidani dhe Shpëtim Saraçi), i cili do të zgjedhin këngët pjesëmarrëse në festival. Festivali “Luleborë” do të zhvillohet në muajin tetor dhe qëllimi i projektit është pasurimi i repertorit të muzikës qytetare dhe afrimi dhe aktivizimi i brezave të rinj me muzikë. Juria e festivalit do të jetë e përbërë nga emrat më të njohur.

Aplikimi

Ftohen të gjithë kompozitorët e rinj dhe profesionistë të sjellin materialet muzikore në Bashkinë Shkodër, pranë zyrës së protokoll/arkivës, drejtuar Drejtorisë së Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sportit, adresa: rr. 13 dhjetori, nr.1, Shkodër. Ndër të tjera kriter kryesor është që këngët duhet të jenë krijime tërësisht të reja, të papublikuara më parë. “Publikimi i tyre në çfarëdolloj forme para natës së parë të zhvillimit të festivalit “Luleborë”, është automatikisht përjashtues nga pjesëmarrja në festival”, thuhet për festivalin. Autorëve të këngëve, kantautorëve si dhe poetëve, i kërkohet që krijimet e tyre të jenë sa më origjinale. Janë të mirëpritura këngët me gjuhë muzikore të artikuluar. Pranohen krijime këngësh për duete apo trio këngëtarësh, apo edhe të shoqëruar me kompleks.

Mosrespektimi i kritereve të përcaktuara, është automatikisht përjashtues nga konkurrimi. Data e fundit e dorëzimit të materialeve muzikore është 16 gusht 2021. Nga data 17 – 27 gusht do të zgjidhen materialet kaluese dhe me 27 gusht shpallet lista e fituesve. Materialet muzikore do të kalojnë në fazën e parë të seleksionimit, ku një grup i përbërë nga profesionistë të sektorit të produksionit muzikor, do të marrin në shqyrtim këngët. Ky proces përfundon me seleksionimin e këngëve që do të marrin pjesë në “Luleborë”. Performimi muzikor do të mbahet nën interpretimin “live” të “Orkestrës Luleborë”, e cila përbën edhe themelin e suksesit të festivalit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull