Përfaqësuesi i Lëvizjes për Demokraci, Mexhet Ramusa, ka folur ditën e sotme përpara Kryeministrisë në Tiranë, ku ka deklaruar se ‘Open Balkan’ nuk është një nismë që përkrahet nga Kosova.
Ramusa deklaroi se populli i Kosovës është ende i ndjeshëm kur vjen puna te të tilla nisma, duke shtuar se Aleksandër Vuçiç është pergjegjës për gjenocid në Kosovë.
Me anë të një baneri të madh, Lëvizja për Demokracinë i bën thirrje Kryeministrit të tërhiqet nga iniciativa.
“E di gjithëe Kosova dhe Shqipëria që Serbia ka bërë gjenocid. Ne kemi ardhur për të treguar kush është Vuçiç dhe çfarë ka bërë në Kosovë. Në Kosovë jemi kundër Open Balkan, një nga arsyet sepse Serbia refuzon ta njohë Kosovën“, tha ai.
“Edi Esat Pasha ne nuk kemi harruar se çfarë gjenocidi ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë me në krye Millosheviçin dhe ministrin e tij Vuçiç! E ardhmja e shtetit tonë është në Bashkimin Europian dhe SHBA, jo ajo që pretendoni ju “Jugosllavia e Re”! Po ta rikujtojmë kush është bashkëpunëtori juaj Vuçiç dhe çfarë krimi ka kryer mbi popullatën civile ne Kosovë!” , shkruhet në baner.