Kryeministri Edi Rama ka komentuar strehimin e afganëve në Shqipëri pas pushtimit të vendit të tyre nga talebanët, operacion që nis ditën e nesërme.
Në një prononcim për ‘The Guardian’, kryeministri Rama është shprehur se ndihet i shkatërruar kur sheh se si ata njerëz janë lënë të braktisur, pasi vetë shqiptarët e dinë se si është të jesh i huaj e të kërkosh strehë, referuar emigrantëve të vendit tonë.
“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri. Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë. Nuk mund ta kuptoj se si vende më të pasura mund tu kthejnë shpinën. Kjo bie në kundërshti me vlerat që ne predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij,”- tha Rama ndër të tjera.