300 afganët e parë pritet të mbërrijnë sot në orën 17:00, ngrihen tendat në Rinas për kontrollin mjekësor

2 Minuta Lexim

Nuk dihet numri i saktë, por sipas raportimeve, rreth 2 mijë afganë pritet të mbërrijnë në Shqipëri. Rreth 300 afganët e parë pritet të vijnë në vendin tonë rreth orës 17:00.

Ndërkohë, në Rinas, pranë aeroportit, janë ngritur tendat ushtarake, ku refugjatët afganët do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

Pas marrjes së kontrollit nga talebanët, afganët që kanë bashkëpunuar me NATO-n ndihen të kërcënuar dhe janë larguar nga Afganistani. Destinacioni përfundimtar i tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vendin tonëpritet të qëndrojnë përkohësisht deri sa të pajisen me vizë.

Pas negociatave të bëra me SHBA, Shqipëria ka pranuar të presë afganët të cilët u rrezikohet jeta nga talebanët. Shumë prej tyre pritet të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti. Veç Qytetit Studenti, një tjetër skenar përfshin edhe strehimin e një pjesë të tyre në disa hotele në qytetin bregdetar të Durrësit, edhe pse kapacitetet e strukturave akomoduese janë më të kufizuara për shkak të fluksit të turistëve.

Talebanët morën kontrollin e Afganistanit para disa ditësh pas tërheqjes së trupave amerikane. Udhëheqësit afganë dhe bashkëpunëtorët me vendet e huaja janë larguar nga vendi pasi shprehen se atje u rrezikohet jeta nga hakmarrja e talebanëve. Mijëra afganë kanë ‘pushtuar’ aeroportin e kryeqytetit, Kabulit, i cili është ende nën kontrollin e forcave ndërkombëtare, në përpjekje për tu larguar nga vendi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull