SHPËTOJENI ZVËRNECIN!

4 Minuta Lexim
Nga Jani MALO –
Afro 30 vite më parë kthehesha me mall në Zvërnecin e fëmijërisë time. Kujtimet e së shkuarës dhe ëndrrat e së ardhmes më bënin që herë herë në bisedat me bashkëfshatarë të shpërthente nga unë një entusiazëm i përzemërt. Ai vend me një bukuri natyrore mahnitëse gjithmonë më kishte bërë ‘të fluturoja’ dhe për këtë nuk pendohesha.
Atëkohë fshati nuk kishte ujë (pa ujë është edhe sot), nuk kishte energji elektrike, po edhe rruga që e lidhte me Vlorën ishte për të qarë hallin. Dhe unë, në një nga momentet e entusiazmit tim euforik, iu drejtova bashkëbiseduesit tim, një burrë i moshuar e i mençur i fshatit, duke i thënë:
-Shteti nuk po vë dorë. Pak rëndësi ka nëse nuk ka mundësi apo nuk do. Hajde të kontribuojmë të gjithë të bëjmë diçka për Zvërnecin!
Ai, më pa në sy, psherëtiu thellë dhe më tha:
-Jemi mirë kështu. Do na prishet fshati.
E mora për ironi atë që më tha. Dhe për ironi e mbajta gati 30 vite.
Këto ditë kur shkova në Manastirin e Zvërnecit, një nga vendet më të vizituara nga vendas e të huaj, mu rrëqeth mishtë. Pirgje mbeturinash të hedhura përgjatë gjithë rrugës që të çon atje, kanë filluar ta dominojnë pyllin e pishave që nga ish Fabrika e Sodës. Papastërti nga më të ndyrat mbushnin gjolin, në të dy anët e urës së përuruar me aq bujë para pak vitesh. Bukuria e shumëpërfolur dukej se po jepte shpirt, prehë e viktimë e një edukate e kulture tribale.
E pagojë, si të gjitha bukuritë e botës, ajo nuk mund të kërkojë ndihmë.
Tani e kuptova se intuita e atij plaku që më tha:” Jemi mirë kështu. Do na prishet fshati”, paska parë shumë larg në vite. Nuk paska bërë fare ironi ai njeri i të mençur. Ironi bën shteti, agjencitë turistike dhe televizionet që me foto të marra nga dronet na e shesin shëmtinë për bukuri.
Nuk di nëse kemi ende kohë, o bashkëfshatarët e mi. Shpresoj të mos jem vonë në thirrjen time të ripërsëritur pas 30 vitesh: “Hajde të kontribuojmë të gjithë të bëjmë diçka për Zvërnecin!”
Ndërsa kthehesha në rrugën me pisha, nëpër errësisë, hapa xhamin e makinës dhe thirra:
”Shpëtojeni Zvërnecin!”
Nuk di kujt iu drejtova. Mbylla sakaq xhamin, me shpresë se nuk më dëgjoi njeri, me shpresë se edhe nëse më dëgjoi dikush nuk më mori për të çmendur.
Shpresoj që as ju lexuesit e mi të mos më merrni për të çmendur për këtë që po them: Hajde të kontribuojmë të gjithë të bëjmë diçka për Zvërnecin!
Duhet shpëtuar Zvërneci, përndryshe do jetë e afërt dita, madje shumë e afërt, kur gjëja më e bukur dhe më mbresëlënëse që do të keni si kujtim nga ai vend do jetë portreti im, i dërmuar jo aq nga vitet, se sa nga trishtimi.
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të jashtme

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull