Emiratet e Bashkuara arabe i ofrojnë strehim presidentit afgan me familje

5 Minuta Lexim

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se kanë pranuar për arsye humanitare Presidentin afgan Ashraf Gani dhe familjen e tij.

Zoti Gani u arratis nga Afganistani ndërkohë që talibanët po i afroheshin Kabulit. Deklarata e Emirateve e transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve WAM nuk thoshte se në ç’pjesë të vendit ishte strehuar zoti Gani.

Në Afganistan, talibanët kanë shpërndarë të mërkurën me forcë një protestë në pjesën lindore të vendit. Të paktën një protestues mbeti i vrarë në këtë demonstrim të rrallë të rezistencës publike. Ndërkaq, përfaqësues të talibanëve janë takuar me ish-zyrtarë të qeverisë së mëparshme që gëzonte mbështetjen e Perëndimit.

Bota po ndjek me vëmendje të madhe çdo veprim të tyre. Talibanët këmbëngulin se do të jenë ndryshe këtë radhë në krahasim me kufizimet e rrepta që kishin në zbatim deri në vitin 2001, para ndërhyrjes amerikane.

Por shumë afganë mbeten skeptikë dhe përgjigja e rreptë ndaj protestës së të mërkurës ka thelluar shqetësimet për të ardhmen e Afganistanit.

Britania dhe Shtetet e Bashkuara thonë se do të punojnë me vende të tjera për të hartuar një strategji të koordinuar për Afganistanin dhe se kur bëhet fjalë për zotimet e talibanëve mbi mënyrën se si do të qeverisin, nuk kanë rëndësi fjalët, por veprat.

“Ne do ta gjykojmë këtë regjim bazuar në zgjedhjet që bën, në aktet dhe jo në fjalët që thotë, në mënyrën si i përgjigjet terrorizmit, krimit, narkotikëve, si dhe qasjen që u lejon organizatave humanitare dhe të drejtën e vajzave për të ndjekur shkollën,” tha Kryeministri britanik Boris Johnson të mërkurën në parlament.

Zoti Johnson bisedoi me telefon me Presidentin Joe Biden të martën. Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thotë se dy udhëheqësit “diskutuan nevojën për bashkërendim të vazhdueshëm mes aleatëve dhe partnerëve demokratikë lidhur me politikat ndaj Afganistanit, përfshirë edhe identifikimin e mënyrave që bashkësia ndërkombëtare t’u ofrojë afganëve ndihma humanitare dhe mbështetje për refugjatët dhe shtetas të tjerë të rrezikuar në këtë vend”. Ata diskutuan edhe zhvillimin javën e ardhshme të një takimi të udhëheqësve të G-7 mbi këtë temë.

Këshilltari i Presidentit Biden për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha të martën në komentet për gazetarët se komuniteti ndërkombëtar kërkon nga talibanët të “përmbushin detyrimet e tyre për të drejtat bazë dhe dinjitetin njerëzor të popullatës”. Ai tha se administrata e Presidentit Biden do të komunikojë drejtpërdrejt me talibanët “mbi kostot dhe pasojat që do të ketë për disa veprime nga ana e tyre dhe çfarë presim prej tyre”.

Këto deklarata pasojnë zotimet e zyrtarëve talibanë se do të respektojnë të drejtat e grave “brenda ligjit islamik” dhe do të formojnë një qeveri “gjithëpërfshirëse islamike” ndërkohë që kjo lëvizje radikale forcon kontrollin në Afganistan.

Situata në Kabul ishte e qetë të mërkurën, vetëm tri ditë pasi talibanët u futën në qytet dhe morën kontrollin. Trafiku është intensifikuar që nga e diela kur rrugët ishin të shkreta.

Shihet edhe një numër më i madh grash nëpër rrugë, por pjesa më e madhe e tyre janë të moshuara, ose vajza në moshë të vogël.

Vajzat dhe gratë afgane, që më parë frekuentonin kafenetë, apo lagjet komerciale të kryeqytetit, nuk shihen më. Si burrat edhe gratë, që shihen në publik, janë të veshur në masë të madhe në përputhje me interpretimin e rreptë fetar që kërkojnë talibanët.

Ndërkaq, evakuimet vazhdojnë nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit. Pas një fillimi kaotik të hënën, procesi po ecën me një ritëm të përshpejtuar. SHBA thonë se synojnë të intensikojnë evakuimet e përditshme duke nxjerrë 5000-9000 vetë çdo ditë nga vendi.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të martën në mbrëmje se SHBA kishte evakuuar mbi 3200 vetë.

Gjermania, po ashtu, vazhdon evakuimin e shtetasve të saj, si dhe afganëve që kanë bashkëpunuar me forcat e huaja dhe të aktivistëve për të drejtat e njeriut.

Si Gjermania, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, po dërgojnë trupa shtesë në aeroport për të ndihmuar operacionet e evakuimit.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian tha të mërkurën se një avion me 25 shtetas francezë dhe 184 afganë kishte mbërritur në Abu Dhabi.

Ministrja e Jashtme e Holandës, Sigrid Kaag komentoi në Twitter se dy avionët e parë me shtetas holandezë ishin nisur nga Kabuli dhe se zyrtarët po punojnë me aleatët për të bashkërenduar evakuime të tjera./Voa

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull